Japonia ka udhëzuar prokurorët në të gjithë vendin që të mos vendosin informacione hetimore të pazbuluara në motorët e kërkimit të mundësuar nga inteligjenca artificiale (IA), raportuan sot mediat lokale.
Në një njoftim, autoriteti më i lartë prokurorial i vendit - Zyra e Prokurorit të Lartë Publik bëri thirrje për menaxhim të rreptë të informacionit, duke thënë: "Përdorimi i papërshtatshëm mund të minojë besimin e publikut në aktivitetet prokuroriale", raportoi "Kyodo News" me seli në Tokio, duke cituar burime qeveritare.
Autoriteti ka frikë se informacione të tilla, nëse futen në mjetet e inteligjencës artificiale, mund t'u zbulohen përdoruesve të tjerë.
Njoftimi i lëshuar më 16 tetor për zyrat e prokurorive të rretheve dhe të larta publike në gjithë vendin, gjithashtu u kërkoi prokurorëve të shmangin futjen e përshkrimeve të krimeve në mjetet e inteligjencës artificiale sa herë që është e mundur, edhe nëse detajet janë përgjithësuar pjesërisht ose janë anonimizuar.
Në parim, vetëm mjetet e përcaktuara të inteligjencës artificiale dhe ato të miratuara paraprakisht nga Zyra e Prokurorit të Lartë Publik mund të përdoren, tha njoftimi.
Shkalla e dënimit penal në Japoni për rastet e ngritura në gjyq është 99 për qind, një shifër që cilësohet si një nga më të lartat në nivel global.















