| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Integrimi në BE në fokus të takimit të Grupit të "Miqve të Ballkanit Perëndimor" në Athinë
"Vendet mike të Ballkanit Perëndimor riafirmuan angazhimin që zgjerimi të mbetet lart në agjendën e BE-së si dhe nevojën për përshpejtimin e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit", thuhet në njoftim.
Integrimi në BE në fokus të takimit të Grupit të "Miqve të Ballkanit Perëndimor" në Athinë
Integrimi në BE në fokus të takimit të Grupit të "Miqve të Ballkanit Perëndimor" në Athinë / َAA
 

Në fokus të takimit të Grupit të "Miqve të Ballkanit Perëndimor", i cili u mbajt në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, ishte integrimi i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian (BE).

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski mori pjesë në takimin ministror të Grupit të "Miqve të Ballkanit Perëndimor", me ftesë të ministrit grek të Punëve të Jashtme, Giorgos Gerapetritis.

Sipas njoftimit të ministrisë së Maqedonisë së Veriut, në fokus të takimit ishin sfidat aktuale të politikës së zgjerimit në kontekstin aktual gjeopolitik si dhe hapat e ardhshëm drejt përshpejtimit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

"Vendet mike të Ballkanit Perëndimor riafirmuan angazhimin që zgjerimi të mbetet lart në agjendën e BE-së si dhe nevojën për përshpejtimin e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit", thuhet në njoftim.

"Një pjesë e veçantë e diskutimit iu kushtua mundësive për shfrytëzimin e ekspertizës dhe instrumenteve të ODIHR-it në mbështetje të integrimit evropian, veçanërisht në fushat e qëndrueshmërisë demokratike, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe reformave të qëndrueshme", thuhet më tej në njoftim.

Sipas njoftimit, në fjalën e tij, ministri Mucunski theksoi rëndësinë e një procesi të besueshëm dhe të parashikueshëm të anëtarësimit dhe përshëndeti propozimet e Komisionit Evropian që synojnë lehtësimin e procesit të vendimmarrjes në Këshillin e BE-së.

Ai theksoi se koncepti i integrimit gradual duhet të zhvillohet më tej me iniciativa që do të mundësojnë pjesëmarrje më aktive të vendeve të rajonit në hartimin e politikave të BE-së dhe do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët.

Përveç Mucunskit, në takim marrin pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe përfaqësues nga vende të tjera partnere dhe të BE-së.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë