| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Ministri Hoxha: Zgjerimi i BE-së, investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe fuqinë e Evropës
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë ka marrë pjesë në takimin e Miqve të Ballkanit Perëndimor në Athinë, me ftesë të ministrit grek të Punëve të Jashtme, Giorgos Gerapetritis.
Ministri Hoxha: Zgjerimi i BE-së, investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe fuqinë e Evropës
Ministri Hoxha: Zgjerimi i BE-së, investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe fuqinë e Evropës / َAA
 

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE) është një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe fuqinë e Evropës.

Ministri Hoxha ka marrë pjesë në takimin e Miqve të Ballkanit Perëndimor në Athinë, me ftesë të ministrit grek të Punëve të Jashtme, Giorgos Gerapetritis.

"Zgjerimi nuk është më thjesht një politikë konvergjence. Ai është një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe fuqinë e Evropës. Për Shqipërinë, drejtimi është i qartë: të çojmë përpara reformat, të ruajmë ritmin e negociatave dhe ta përkthejmë momentumin politik në progres konkret. Mundësia që kemi përpara është reale, por momentumi ka vlerë vetëm nëse dimë ta shfrytëzojmë", është shprehur Hoxha.

Kryediplomati Hoxha ka theksuar se zgjerimi i BE-së po ndodh dhe sipas tij, Shqipëria është plotësisht pjesë e tij.

"Ruajtja e këtij momenti nuk është një slogan. Është një zgjedhje që duhet ta bëjmë dhe ta ripërtërijmë çdo ditë, si vendet kandidate, ashtu edhe Bashkimi Evropian. Sepse, kur perspektiva evropiane është e besueshme, reformat përshpejtohen. Kur besueshmëria zbehet, edhe reformat ngadalësohen", ka theksuar ndër të tjera Hoxha.

Ai ka shtuar se besueshmëria është motori i zgjerimit dhe funksionon në të dyja drejtimet: "Vendet kandidate duhet të sjellin rezultate përmes reformave ndërsa Bashkimi Evropian duhet t'i përgjigjet me rezultate progresit të arritur".

"Një Evropë më e fortë ka nevojë për zgjerimin. Dhe zgjerimi ka nevojë për besueshmëri, kurajë dhe rezultate", ka deklaruar kryediplomati i Shqipërisë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë