| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Hoxha takon homologun grek: Zgjerimi i BE-së forcon stabilitetin e Evropës
Në kuadër të Takimit të Miqve të Ballkanit Perëndimor në Athinë, ministri Hoxha është takuar me ministrin grek të Punëve të Jashtme, Giorgos Gerapetritis.
Hoxha takon homologun grek: Zgjerimi i BE-së forcon stabilitetin e Evropës
Hoxha takon homologun grek: Zgjerimi i BE-së forcon stabilitetin e Evropës / TRT Balkan AL
 

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se një proces zgjerimi i besueshëm i Bashkimit Evropian (BE) është thelbësor për ta forcuar stabilitetin afatgjatë të Evropës. 

Në kuadër të Takimit të Miqve të Ballkanit Perëndimor në Athinë, ministri Hoxha është takuar me ministrin grek të Punëve të Jashtme, Giorgos Gerapetritis.

Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha ka theksuar se gjatë takimit e rishikuan ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe diskutuam mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, "si dhe rëndësinë strategjike që ka procesi i zgjerimit", si për Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe për vetë Bashkimin Evropian.

"Partneritet strategjik, marrëdhënie të shkëlqyera, miqësia, dialog i hapur dhe konstruktiv, si dhe një e ardhme e përbashkët evropiane janë shtyllat që karakterizojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë", është shprehur Hoxha. Ai ka shtuar se shkëmbyem gjithashtu mendime mbi zhvillimet rajonale dhe sfidat në ndryshim me të cilat përballet rajoni.

"Në kontekstin e diskutimeve të ripërtërira mbi të ardhmen e Evropës, theksuam rëndësinë e ruajtjes së ritmit të procesit të zgjerimit të BE-së dhe të shndërrimit në realitet të aspiratave evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Një proces zgjerimi i besueshëm, i bazuar në meritë dhe me vizion për të ardhmen, është thelbësor jo vetëm për ta nxitur transformimin e rajonit, por edhe për ta forcuar stabilitetin, sigurinë dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Evropës", tha kryediplomati shqiptar.

Hoxha ka shtuar se si vende fqinje, aleatë në NATO dhe partnerë të lidhur nga "marrëdhënie të forta historike, ekonomike dhe njerëzore", Shqipëria dhe Greqia ndajnë përgjegjësinë për të kontribuar në një rajon më të sigurt, më të ndërlidhur dhe më të begatë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë