Organizata terroriste PKK/KCK ka liruar 14 strehimore shtesë në rajonin Hakurk në veri të Irakut, thanë sot burime të sigurisë turke.
Sipas burimeve, hapa të rëndësishëm vazhdojnë të ndërmerren si pjesë e një procesi që synon forcimin e solidaritetit kombëtar dhe integrimin social, garantimin e sigurisë rajonale, stabilitetit dhe paqes afatgjate.
Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të liruar strehimoret që paraqesin një rrezik të mundshëm konflikti për sigurinë e Türkiyes, PKK më parë liroi zonat Hebat, Yajk, Sabri dhe Sason në rajonet Metina dhe Baze në veri të Irakut më 8 tetor 2026.
Pas këtyre tërheqjeve, 14 strehimore të tjera në Hakurk u liruan më 18 nëntor. Lokacionet përfshijnë Ciger Tepe, Serif, Aliser, Kendekola, PAJK, Depoja e Municioneve Baran, Hinere/Spitali, Punishtja e rrobaqepësisë, Mazlum Dogan, Menaxhimi praktik, Depoja e Municioneve, Yusuf-Asayis, Hemin dhe Cesur.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Türkiyes njoftoi se shpellat dhe strehimoret në këto zona do të bëhen të papërdorshme. Burimet e sigurisë thanë se zhvillimet në terren tregojnë përparim drejt përfundimit të çarmatimit, një nga fazat e para dhe më të rëndësishme të procesit.
Ata theksuan kontributin e këtyre zhvillimeve në sigurinë kombëtare dhe stabilitetin politik të vendeve të rajonit. Burimet i përshkruan tërheqjet e fundit si zhvillime konkrete dhe të verifikueshme që e pasqyrojnë vendosmërinë për ta përfunduar me sukses procesin.
Ata theksuan se zhvillimet tregojnë se disa momente kritike tashmë janë arritur përmes një qasjeje realiste dhe të menaxhuar me kujdes. Sipas burimeve, çdo zhvillim pozitiv i monitoruar nga Bordi Koordinues i Solidaritetit Kombëtar dhe Integrimit Social dhe nënkomitetet e tij e sjell procesin më pranë lehtësimit të riintegrimit në shoqëri të individëve që kthehen në Türkiye sipas kushteve të përcaktuara me ligj.
Bordi filloi të funksionojë sipas Ligjit për Forcimin e Solidaritetit Kombëtar dhe Integrimit Social. Burimet thanë se procesi i integrimit social, i bazuar në demokraci, gjithëpërfshirje dhe pajtim do të ndihmojë në riintegrimin e potencialit njerëzor të pashfrytëzuar më parë në shoqëri.
Ata shtuan se procesi mund të lejojë që burimet e konsiderueshme ekonomike të alokuara më parë në zona të tjera të ridrejtohen drejt prosperitetit dhe zhvillimit të ardhshëm të Türkiyes.















