| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Bayraktar Akinci realizon hedhjen e parë ajrore të silurës Orka nga një mjet ajror pa pilot
Prodhuesi turk i dronëve Baykar dhe kryetari i tij, Selcuk Bayraktar, publikuan pamje të testimit në rrjetet sociale. Akinci u ngrit me silurën nga Qendra e Trajnimit të Fluturimit dhe Testimit në Çorlu, në provincën veriperëndimore Tekirdag.
Bayraktar Akinci realizon hedhjen e parë ajrore të silurës Orka nga një mjet ajror pa pilot
Droni turk Bayraktar Akinci realizon hedhjen e parë ajrore të silurës Orka nga një mjet ajror pa pilot / TRT Balkan AL
 


Droni luftarak turk Bayraktar Akinci lëshoi me sukses një silurë të lehtë Orka, të zhvilluar në vend, mbi Gjirin e Sarosit në veriperëndim të Türkiyes, duke e shënuar lëshimin e parë të kësaj arme nga një mjet ajror pa pilot. 

Prodhuesi turk i dronëve Baykar dhe kryetari i tij, Selcuk Bayraktar, publikuan pamje të testimit në rrjetet sociale. Akinci u ngrit me silurën nga Qendra e Trajnimit të Fluturimit dhe Testimit në Çorlu, në provincën veriperëndimore Tekirdag.

Gjatë testimit, silura u shkëput nga pjesa e poshtme e krahut të avionit dhe hyri në ujë në pikën e përcaktuar. Më pas, droni u kthye në qendrën e testimit.

Baykar i ka zgjeruar kapacitetet e Akincit përmes integrimit të pajisjeve dhe municioneve të zhvilluara në vend ndërsa testimi i fundit i shtriu këto përpjekje edhe në luftën kundër nëndetëseve.

Testimi pason provat me sonobujë nga TB3

Testimi pason provat e mëparshme, gjatë të cilave droni luftarak Bayraktar TB3 i Baykarit vendosi me sukses sonobujë duke përdorur sistemin SAS POD të kompanisë.

Sonobujët mbledhin sinjale akustike nënujore që mund të ndihmojnë në lokalizimin e nëndetëseve. TB3 mund t'i përpunojë këto sinjale në kohë reale, duke i mundësuar mjetit ajror të ndihmojë në zbulimin e objektivave nënujore.

Testimet shqyrtuan rolet plotësuese të dy dronëve në operacionet kundër nëndetëseve, ku TB3 ndihmon në zbulimin e nëndetëseve ndërsa Akinci bart silurët për t'i goditur ato.

ORKA e projektuar për lëshim nga anijet dhe mjetet ajrore

E zhvilluar nga kompania turke e mbrojtjes Roketsan, Orka e gjeneratës së ardhshme është një silurë e lehtë e projektuar për t'i goditur nëndetëset.

Arma mund të lëshohet nga anijet sipërfaqësore dhe mjetet ajrore dhe është e pajisur me një sistem drejtimi në bord që përdor sonar aktiv dhe pasiv për t'i zbuluar objektivat nënujore.

Testimi në Gjirin e Sarosit demonstroi aftësinë e Akincit për ta ëëshuar silurën, duke e shtuar dronin luftarak në platformat ajrore nga të cilat Orka është lëshuar me sukses.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë