| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Azerbajxhani: Kushtetuta e re e Armenisë mund t’i hapë rrugë marrëveshjes së paqes
Ministri i Jashtëm, Bayramov, thotë se kushtetuta e re e Armenisë mund të heqë një pengesë kyçe për arritjen e marrëveshjes së paqes me Azerbajxhanin.
Azerbajxhani: Kushtetuta e re e Armenisë mund t’i hapë rrugë marrëveshjes së paqes
Azerbajxhani: Kushtetuta e re e Armenisë mund t’i hapë rrugë marrëveshjes së paqes / TRT Balkan AL
 

Ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov, deklaroi të hënën se miratimi i kushtetutës së re të propozuar të Armenisë mund të heqë një pengesë kyçe për arritjen e marrëveshjes së paqes mes dy vendeve fqinje të Kaukazit Jugor, pasi projekt-dokumenti nuk përmban referenca për pretendime territoriale ndaj Azerbajxhanit. 

Duke folur në një konferencë për media në kryeqytetin Baku, Bayramov vlerësoi pozitivisht planet e Armenisë për miratimin e kushtetutës së re, duke hequr dorë nga Deklarata e Pavarësisë e vitit 1990.

"Vendi ynë ka deklaruar vazhdimisht se nënshkrimi i një marrëveshjeje paqeje do të bëhej i mundur pasi Armenia të heqë nga kushtetuta e saj pretendimet territoriale ndaj Azerbajxhanit", tha ai.

Duke komentuar publikimin e projekt-kushtetutës në Armeni, Bayramov e cilësoi mungesën e pretendimeve të tilla si një zhvillim pozitiv.

"Ajo që ka rëndësi për Azerbajxhanin është se pretendime të tilla nuk ka në projektin e kushtetutës së re. Ky është një zhvillim pozitiv. Pasi kjo çështje të zgjidhet përfundimisht, do të jetë e mundur të nënshkruhet një marrëveshje paqeje", tha ai.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme në dokumentin e propozuar është mungesa e çdo reference ndaj Deklaratës së Pavarësisë së Armenisë të vitit 1990, e cila përmban dispozita lidhur me territoret e pretenduara nga Armenia dhe Azerbajxhani.

Baku e ka cilësuar vazhdimisht përmendjen e Nagorno-Karabakut në këtë deklaratë si një pengesë të rëndësishme për zbatimin e marrëveshjes së paqes të nënshkruar nga dy vendet vitin e kaluar. Sipas qëndrimit të Azerbajxhanit, miratimi i kushtetutës së re do ta hiqte këtë pengesë.

Megjithatë, projekt-kushtetuta duhet fillimisht të sigurojë mbështetjen e nevojshme në parlament për t’u paraqitur në referendum. Të paktën dy të tretat e deputetëve duhet ta mbështesin nismën. Partia në pushtet e Pashinyanit aktualisht ka 64 vende në parlament dhe i nevojiten të paktën edhe gjashtë vota për të arritur pragun e kërkuar.

Marrëdhëniet mes Bakusë dhe Jerevanit kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, si dhe shtatë rajone përreth tij.

Pjesa më e madhe e këtij territori u çlirua nga Azerbajxhani gjatë një lufte 44-ditore në vjeshtën e vitit 2020, e cila përfundoi me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia, duke hapur rrugën për normalizimin e marrëdhënieve dhe përcaktimin e kufirit mes dy vendeve.

Në shtator të vitit 2023, Azerbajxhani vendosi kontrollin e plotë mbi Karabakun.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë