LaLiga, liga më e lartë e futbollit në Spanjë, njoftoi sot se në fillim të këtij muaji ishte shënjestruar nga një sulm kibernetik, si pasojë e të cilit u ekspozuan të dhënat personale të tifozëve të regjistruar në shërbimet e saj digjitale dhe ato të disa klubeve.
Sulmi kishte në shënjestër një nga platformat teknologjike të LaLigës për shërbimet ndaj tifozëve, gjatë periudhës 14-16 nëntor, duke i mundësuar një personi të paautorizuar të qasej dhe të vidhte informacionet personale të përdoruesve, bëri të ditur liga në një deklaratë.
LaLiga tha se ekipet e saj të sigurisë identifikuan burimin e qasjes së paautorizuar dhe më 16 nëntor morën masa për të frenuar sulmin, për të ndalur nxjerrjen e të dhënave dhe për të bllokuar sulmuesin. Ajo theksoi se incidenti ishte i kufizuar vetëm në platformën e prekur dhe se sistemet e tjera nuk u komprometuan ndërsa as zhvillimi i garës nuk u ndërpre.
Që nga sulmi, LaLiga po vlerëson përmasat e shkeljes së sigurisë së të dhënave dhe po i forcon sistemet e saj të monitorimit për të parandaluar qasjet e tjera të paautorizuara. Incidenti iu raportua gjithashtu Agjencisë Spanjolle për Mbrojtjen e të Dhënave (AEPD) ndërsa pranë Njësisë Qendrore të Policisë Kombëtare për Krimet Kibernetike u paraqit një kallëzim.
LaLiga tha se ka njoftuar edhe klubet e prekura dhe po bashkërendon me to reagimin ndaj incidentit. Megjithatë, liga nuk bëri të ditur numrin e përdoruesve të prekur, klubet e përfshira apo llojet e të dhënave personale që janë vjedhur.















