| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Taksistët serbë mbajnë protestë para Kuvendit të Qytetit të Beogradit
Shkak për daljen në rrugë është plotësimi i mëvonshëm i rendit të ditës së seancës së ardhshme të kuvendit të qytetit dhe ndryshimet e propozuara të vendimit për transportin me taksi.
Taksistët serbë mbajnë protestë para Kuvendit të Qytetit të Beogradit
Taksistët serbë mbajnë protestë para Kuvendit të Qytetit të Beogradit / TRT Balkan AL
 

Taksistët e Beogradit u mblodhën në sheshin para Kuvendit të Qytetit të Beogradit, me ftesë të Shoqatës Profesionale të Sipërmarrësve të Taksive të Beogradit (SITAB). 

Shkak për daljen në rrugë është plotësimi i mëvonshëm i rendit të ditës së seancës së ardhshme të kuvendit të qytetit dhe ndryshimet e propozuara të vendimit për transportin me taksi.

Nga SITAB paralajmërojnë se me këto ndryshime po tentohet legalizimi i mëvonshëm i gjendjes aktuale dhe krijimi i një paligjshmërie edhe më të madhe, duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), sipas të cilave aktualisht në emër të shoqërive tregtare janë të regjistruara më shumë se 800 automjete, duke tejkaluar kështu kufirin e qytetit prej maksimumi 640 automjetesh (10 për qind e numrit të përgjithshëm), raportoi Blic.

Oda e Taksistëve "Status", së bashku me shoqatat "Pink taksi", "Vuk", "OK taksi" dhe nënshkrues të tjerë nga radhët e sipërmarrësve të taksive, njoftoi sot se nuk e mbështet grevën e organizuar nga SITAB, duke vlerësuar se kërkesat e paraqitura në thirrjen për protestë nuk janë të justifikuara dhe nuk bazohen në fakte të vërteta. Në deklaratën e përbashkët për publikun thuhet se të gjitha personat juridikë duhet të kenë qasje të barabartë në treg gjatë ushtrimit të veprimtarisë së transportit me taksi, në përputhje me ligjin, praktikën e deritanishme dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Katër kërkesat kryesore të taksistëve në protestën e sotme janë tërheqja e menjëhershme nga rendi i ditës së seancës së Kuvendit të Qytetit e ndryshimit të kontestuar të vendimit për transportin me taksi, rishqyrtimi i të gjitha licencave të taksive dhe lejeve për automjetet që u janë dhënë personave juridikë gjatë pesë viteve të fundit, verifikimi i përmbushjes së kushteve ligjore nga këto kompani dhe drejtuesit e tyre, si dhe anulimi i të gjitha lejeve të lëshuara në kundërshtim me ligjin.

Sekretariati për Transportin Publik i Qytetit të Beogradit njoftoi sot se ndryshimet e vendimit për transportin me taksi, të cilat janë në rendin e ditës së seancës së Kuvendit të Qytetit të Beogradit, janë përgatitur me qëllim të harmonizimit me Kushtetutën e Serbisë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë