Katari bëri thirrje sot për rikthimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe rifillimin e negociatave mes ShBA-së dhe Iranit si pjesë e përpjekjeve ndërmjetësuese të Dohas mes dy palëve.
"Siguria rajonale është e vetmja mënyrë për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari, në një konferencë për media në Doha.
Kohët e fundit, Katari ka intensifikuar kontaktet diplomatike me Uashingtonin dhe Teheranin, në përpjekje për të parandaluar një përshkallëzim të ri ushtarak mes dy vendeve.
Irani thotë se është i gatshëm ta rihapë rrugën ujore nëse administrata amerikane pranon kërkesat e tij ndërsa presidenti amerikan Donald Trump akuzon Teheranin se nuk është serioz për arritjen e një marrëveshjeje dhe ka kërcënuar me rifillimin e sulmeve pas përfundimit të këtij viti.
ShBA-ja dhe Izraeli nisën luftë kundër Iranit më 28 shkurt, duke e nxitur Teheranin të kundërpërgjigjet me sulme ndaj Izraelit dhe sipas pretendimeve të tij, ndaj objekteve ushtarake amerikane në vendet arabe.
Uashingtoni dhe Teherani nënshkruan memorandum mirëkuptimi në qershor, por zbatimi i tij ngeci për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. Përplasjet mes palëve kanë rifilluar që nga korriku ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
Armëpushimi në Gaza
Sa i përket Gazës, Al-Ansari tha se përgjegjësia tani i takon Izraelit për të zbatuar zotimet e tij sipas marrëveshjes së armëpushimit ndërsa bëri thirrje që Tel Avivi të vihet nën presion për të përmbushur detyrimet.
“Katari punoi me mirëbesim të plotë për të arritur marrëveshje që do të sillte paqe në Gaza dhe në Palestinë në përgjithësi si dhe do të ndalte krimet dhe masakrat e vazhdueshme izraelite kundër civilëve të paarmatosur”, tha ai.
"Vazhdimi i sulmeve izraelite tregon se pala izraelite nuk është e interesuar për asnjë përpjekje paqeje. Përgjegjësia tani i takon Izraelit për të zbatuar zotimet e tij në fazat e planit të paqes për Gazën dhe duhet të ushtrohet presion ndaj tij që t’i përmbushë ato”, tha Al-Ansari.
Që nga hyrja në fuqi e fazës së parë të armëpushimit më 10 tetor 2025, sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë 1.679 palestinezë dhe kanë plagosur 6.100 të tjerë, sipas shifrave zyrtare. Sulmet kanë vazhduar krahas kufizimeve për hyrjen e ndihmave humanitare dhe materialeve për rindërtim si dhe vonesave në kalimin drejt fazës së ardhshme të planit të Trumpit për t’i dhënë fund luftës.















