| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Erdoğan zotohet për rritje ekonomike, pavarësi në industrinë e mbrojtjes dhe “Türkiye pa terror”
Presidenti turk thotë se qeveria do të vijojë përpjekjet për investime, prodhim dhe punësim, duke e çuar përpara procesin me konsensus të gjerë politik e shoqëror.
Erdoğan zotohet për rritje ekonomike, pavarësi në industrinë e mbrojtjes dhe “Türkiye pa terror”
Erdoğan zotohet për rritje ekonomike, pavarësi në industrinë e mbrojtjes dhe “Türkiye pa terror” / َAA
 

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha të hënën se vendi mbetet i angazhuar për rritjen ekonomike, pavarësinë në industrinë e mbrojtjes dhe procesin “Türkiye pa terror”, duke theksuar rëndësinë e konsensusit politik dhe shoqëror.

“Qeveria jonë është e vendosur të zhvillojë Türkiyen dhe industrinë e saj, të shtojë ushqimin e bukën tonë, paqen dhe mirëqenien tonë”, tha Erdoğan pas mbledhjes së kabinetit në Kompleksin Presidencial në Ankara.

“Po zbatojmë me vendosmëri strategjinë tonë të rritjes së qëndrueshme, të mbështetur tek investimet, prodhimi, punësimi dhe eksportet”, shtoi ai.

Presidenti tha se synimi i Türkiyes është pavarësia e plotë në industrinë e mbrojtjes, duke u zotuar se puna do të vazhdojë “pa u ndalur, pa pushuar dhe, mbi të gjitha, pa u kushtuar vëmendje atyre që u mungon vizioni”.

Duke iu referuar projekteve të industrisë së mbrojtjes KIZILELMA dhe EJDERHA, Erdoğan tha: “Këto janë vetëm fillimi. Në dashtë Zoti, do të zhvillojmë të tjera shumë më të përparuara dhe shumë më të fuqishme”.

“Türkiye pa terror”

Lidhur me procesin “Türkiye pa terror”, Erdoğan tha se përmirësimi i sigurisë po ndihmon në heqjen e pengesave për investimet, prodhimin, punësimin dhe turizmin.

Ai tha se ishin pastruar edhe 14 shpella në Hakurk, pranë kufirit me Türkiyen, të përdorura prej kohësh si strehimore nga terroristët. Sipas tij, pastrimi i shpellave në rajonet Hakurk, Zap dhe Metina të Irakut verior është thuajse në përfundim.

“Ndërsa klima e sigurisë po zë rrënjë në rajon, pengesat për investimet, prodhimin, punësimin dhe turizmin po hiqen njëra pas tjetrës”, tha ai.

Erdoğan theksoi se Türkiye dhe qytetarët e saj “nuk mund të përballojnë më humbje. Lindja dhe juglindja, rajonet kufitare, nuk mund të përballojnë më humbje. Asnjë qytetar imi nuk mund të përballojë më humbje”.

“Pavarësisht prejardhjes, ky komb nuk dëshiron më të humbasë. Aleanca Popullore dhe qeveria po përpiqen ta bëjnë këtë realitet”, shtoi ai.

Ai tha se qeveria është plotësisht e angazhuar ndaj procesit, duke theksuar përgjegjësinë dhe vendosmërinë e saj për të siguruar suksesin e tij.

“Jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që na është besuar. Për suksesin e këtij procesi kemi vënë në lojë zemrën, shpirtin, madje të gjithë qenien tonë”, tha Erdoğan.

Fryma e “467”

Ai shtoi se zgjidhja e çështjeve do të bëhet më e lehtë ndërsa armët dhe dhuna të hiqen nga ekuacioni. Qeveria, sipas tij, po i kushton rëndësi të veçantë ruajtjes së frymës së “467”, të cilën e cilësoi si një pikë kthese në politikën turke.

Numri 467 i referohet konsensusit të gjerë parlamentar, të shprehur përmes 467 votave në favor të legjislacionit që lidhet me procesin “Türkiye pa terror”.

“Synojmë ta çojmë përpara procesin ‘Türkiye pa terror’ me konsensusin më të gjerë të mundshëm politik dhe shoqëror. Por nuk do të lejojmë që një çështje e tillë të shndërrohet në mjet shantazhi politik”, tha ai.

Erdoğan u zotua se procesi do të vazhdojë pa tërheqje, duke thënë: “Do të vazhdojmë përpara pa bërë asnjë hap pas dhe, në dashtë Zoti, do ta zgjidhim përfundimisht këtë çështje për kombin tonë”.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë