| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
OKB-ja: Sulmet në rritje ndaj transportit detar në Detin e Zi shtojnë pasigurinë ushqimore globale
“Siloset e drithërave në Ukrainë dhe Poloni janë plot, ndërsa familjet në Somali, Sudan dhe Sudanin e Jugut përballen me uri katastrofike”, thotë Programi Botëror i Ushqimit.
OKB-ja: Sulmet në rritje ndaj transportit detar në Detin e Zi shtojnë pasigurinë ushqimore globale
OKB-ja: Sulmet në rritje ndaj transportit detar në Detin e Zi shtojnë pasigurinë ushqimore globale / AFP (Wire)
 

Zyrtarë të lartë të OKB-së paralajmëruan të hënën se intensifikimi i sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi dhe infrastrukturës ukrainase po shkakton emergjenca të rënda humanitare dhe pasiguri të theksuar ushqimore në mbarë botën.

Në mesin e tetorit, numri i anijeve që transportonin grurë dhe misër përmes ngushticave turke ishte 63 për qind më i ulët se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

“Për ekuipazhet, kalimi nëpër këtë rrugë është shndërruar në rrezik për jetë a vdekje”, tha drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit (WFP), Luke J. Lindberg, gjatë një seance informuese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të kryesuar nga presidenti letonez Edgars Rinkevics.

Duke e cilësuar Detin e Zi si “rrugën detare më vdekjeprurëse të vitit 2026”, Lindberg raportoi mbi 300 sulme dhe të paktën 40 të vdekur këtë vit. Ai paralajmëroi se rreth 10 milionë tonë grurë rus dhe ukrainas, sasi e mjaftueshme për të ushqyer 44 milionë njerëz, mund të mos mbërrijnë në vendet e varura nga importet.

Nënsekretarja e Përgjithshme e OKB-së për Çështjet Politike dhe Ndërtimin e Paqes, Rosemary DiCarlo, tha se zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut kishte regjistruar 164 sulme të raportuara ndaj anijeve nga qershori deri në tetor. Ajo kishte verifikuar 15 prej tyre, ku u vranë të paktën 21 punonjës dhe u plagosën 43 të tjerë. Incidentet janë shtrirë edhe në zonën ekskluzive ekonomike të Bullgarisë dhe pranë brigjeve të Rumanisë.

Lindberg shtoi se pengesat në tri pika kyçe të transportit detar, Ngushticën e Hormuzit dhe atë të Bab el-Mandebit në Lindjen e Mesme, si dhe Detin e Zi, mund t’i shtojnë kostove operative të WFP-së 727 milionë dollarë deri në mesin e vitit 2027, duke rrezikuar ndihmën ushqimore për 7,3 milionë njerëz.

Sipas Lindbergut, Indeksi i Çmimeve të Ushqimeve i FAO-s iu afrua në shtator nivelit më të lartë të katër viteve të fundit, ndërsa çmimet globale të grurit janë rritur me gati 10 për qind që nga janari.

“Siloset e drithërave në Ukrainë dhe Poloni janë plot, ndërsa familjet në Somali, Sudan dhe Sudanin e Jugut përballen me uri katastrofike”, tha ai.

Sulmet ndaj rrjetit energjetik

Në Ukrainë, sulmet ndaj rrjeteve të energjisë elektrike dhe ujësjellësit kanë krijuar një deficit prej gjashtë gigavatësh në furnizimin me energji elektrike. Vetëm më 12 nëntor, 700 mijë familje mbetën pa energji, ndërsa dimri po afrohet, tha administratori i Programit të OKB-së për Zhvillim (UNDP), Alexander De Croo.

De Croo tha se shkalla e sulmeve ndaj rrjeteve energjetike dhe të ujësjellësit të Ukrainës është “e pashembullt”, duke argumentuar se shkatërrimi “nuk mund të konsiderohet më dëm anësor”.

Megjithëse UNDP-ja ka siguruar pajisje për furnizim emergjent me energji për 435 komunitete dhe ka mundësuar rikthimin në bujqësi të 42 mijë kilometrave katrorë tokë që kishte qenë e minuar, De Croo theksoi se civilët kanë nevojë që konflikti të marrë fund.

Përhapja e luftës përtej kufijve

DiCarlo paralajmëroi se lufta po përhapet gjithnjë e më shumë përtej kufijve, duke përmendur rëniet e fundit të raketave dhe dronëve në Poloninë juglindore dhe pranë kryeqytetit të Moldavisë, Kishinau, si dhe sulmet ukrainase ndaj anijeve ruse në Detin Baltik dhe në Mesdhe.

Duke vënë në dukje se sulmet ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës këtë vit janë edhe më “të gjera dhe sistematike” sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, DiCarlo paralajmëroi se nevojat humanitare së shpejti mund të “tejkalojnë” kapacitetet në dispozicion nëse sulmet vazhdojnë.

Lindberg tha se WFP-ja është e gatshme të lehtësojë dërgesat humanitare të drithërave, nëse anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbështesin një mekanizëm koordinimi.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë