Gjiganti francez i shitjes së artikujve sportivë "Decathlon" ka konfirmuar se një sulm kibernetik në Francë ka ekspozuar të dhënat personale të klientëve, përfshirë më shumë se 130 mijë adresa elektronike dhe një numër të ngjashëm numrash telefoni.
Dje, kompania i ka deklaruar televizionit "France 3 Hauts-de-France" se më 22 nëntor 2026 në Francë ka ndodhur “qasja e paautorizuar në të dhënat personale, përfshirë identitetet, numrat e telefonit dhe adresat”. Sipas kompanisë, shkelja e sigurisë ka ndodhur te njëri prej ofruesve të jashtëm të shërbimeve të "Decathlon"-it dhe jo në bazën kryesore të të dhënave të llogarive të klientëve.
“Ekipet tona kanë ndërhyrë menjëherë për të bllokuar qasjen e komprometuar dhe asnjë e dhënë bankare apo fjalëkalim nuk është prekur”, tha kompania. Sipas raportimit, një haker, i cili përdor pseudonimin "4me1", pretendoi se kishte vjedhur një bazë të dhënash që i përket "Decathlon"-it dhe publikoi katër skedarë për shitje në orët e para të 23 nëntorit.
Sipas faqes së specializuar për sigurinë kibernetike "cyberattaque.org", skedarët përmbanin gjithsej 163.646 të dhëna, përfshirë 137.549 adresa të ndryshme elektronike dhe pothuajse po aq numra telefoni.
Të dhënat e ekspozuara përfshinin emrat, mbiemrat dhe adresat e dërgesave të klientëve. Më shumë se 4.100 regjistrime përmbanin udhëzime për dorëzimin e porosive, disa prej të cilave përfshinin detaje për hyrjen në ndërtesa, informacione për interfonët dhe udhëzime të tjera praktike për korrierët.
Një skedar tjetër thuhet se përmbante informacione për më shumë se 250 mijë porosi, përfshirë mbi 600 dërgesa të planifikuara për periudhën nga 23 deri më 28 nëntor. "Decathlon" deklaroi se sulmi ka prekur disa klientë që kishin bërë porosi përmes faqes së saj franceze dhe se personat e prekur do të njoftohen përmes postës elektronike.
"France 3" paralajmëroi se mashtruesit mund t'i keqpërdorin të dhënat personale dhe informacionet për adresat e dërgesave, duke u paraqitur si korrierë të "Decathlon"-it. Ky incident vjen pas një tjetër shkeljeje të të dhënave, të konfirmuar në tetor, që përfshinte "Train Me", një filial i "Decathlon"-it që merret me trajnim sportiv. Sipas raportimeve, dy incidentet nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin.















