Përfaqësues të kompanisë private izraelite të inteligjencës "Black Cube" raportohet se kanë zhvilluar takime të padeklaruara me zyrtarë në Republikës Sërpska, një nga dy entitetet e Bosnjë e Hercegovinës, njoftuan sot mediat vendase.
Sipas mediave boshnjake, përfaqësues të kompanisë udhëtuan drejt Banja Llukës, qendrës administrative të Republikës Sërpska, ku u takuan me zyrtarë të këtij entiteti. Nuk janë bërë publike detaje rreth përmbajtjes apo qëllimit të diskutimeve ndërsa autoritetet e Republikës Sërpska nuk kanë lëshuar ndonjë deklaratë zyrtare.
Mediat vendase raportuan gjithashtu se përfaqësues të "Black Cube" e kanë vizituar Banja Llukën edhe dy herë të tjera më parë dhe se personat që udhëtonin në emër të kompanisë izraelite kanë mbërritur me fluturime direkte nga Tel-Avivi.
Kjo vizitë e fundit vjen në një kohë kur partitë politike në Republikën Sërpska vazhdojnë negociatat për formimin e një qeverie të re të entitetit, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 4 tetorit në Bosnjë e Hercegovinë.
- Pretendimet lidhur me "Black Cube" në Slloveni
Këto raportime pasojnë pretendime të mëparshme që përfshijnë "Black Cube" në Slloveni.
E përjavshmja sllovene "Mladina" pretendoi më herët se përfaqësues të kompanisë izraelite e kishin vizituar Lubjanën tri herë dhe ishin takuar me Janez Janshën, kreun e Partisë Demokratike Sllovene (SDS), i cili u bë kryeministër pas zgjedhjeve të 22 marsit.
Sipas revistës, personat në fjalë u prezantuan me identitete të rreme si përfaqësues të një kompanie investimesh të huaja dhe regjistruan fshehurazi takimet me disa politikanë sllovenë.
Ish-kryeministri slloven, Robert Golob i kërkoi më pas Bashkimit Evropian të hetojë nëse ka pasur ndërhyrje të huaja gjatë zgjedhjeve të përgjithshme në vend.
Jansha i mohoi pretendimet, duke deklaruar se nuk kishte dëgjuar kurrë për "Black Cube".















