Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë synojnë ta thellojnë bashkëpunimin në arsimimin dhe trajnimin ushtarak, me fokus zhvillimin profesional të personelit dhe shkëmbimin e përvojave.
Këto çështje u diskutuan në takimin ku komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Ferdinant Dimo.
Sipas njoftimit të FSK-së, dy gjeneralët shqyrtuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke i kushtuar vëmendje të veçantë arsimimit ushtarak dhe shkëmbimit të përvojave profesionale.
Gjenerallejtënant Jashari vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy forcave dhe theksoi rëndësinë e koordinimit të aktiviteteve arsimore dhe stërvitore për zhvillimin e njohurive dhe aftësive profesionale të personelit ushtarak.
Në përfundim të takimit, të dy gjeneralët e riafirmuan përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve ushtarake. Ata vlerësuan se bashkëpunimi në arsimimin ushtarak përbën një dimension të rëndësishëm të zhvillimit profesional dhe institucional të të dy forcave.















