| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Kina kundërshton uzurpimin e tokave dhe veprimet që cenojnë palestinezët
Presidenti kinez, Xi Jinping bën thirrje për armëpushim të qëndrueshëm në Gaza, mbrojtjen e civilëve dhe rifillimin e bisedimeve të paqes mes Izraelit dhe Palestinës.
Kina kundërshton uzurpimin e tokave dhe veprimet që cenojnë palestinezët
Kina kundërshton uzurpimin e tokave dhe veprimet që cenojnë palestinezët / َAA
 

Presidenti i Kinës, Xi Jinping kundërshtoi uzurpimin e tokave dhe veprimet që cenojnë të drejtat e palestinezëve, duke bërë thirrje për armëpushim të qëndrueshëm në Gaza dhe mbrojtjen e civilëve, raportoi sot agjencia e lajmeve Xinhua.

Në një mesazh drejtuar një takimi të OKB-së, të mbajtur të hënën me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez, Xi tha se çështja palestineze qëndron në thelb të çështjes së Lindjes së Mesme. Ai theksoi se tensionet aktuale në rajon nuk duhet ta largojnë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare nga çështja palestineze.

Xi tha se çelësi për zgjidhjen e çështjes palestineze është ruajtja e zgjidhjes me dy shtete dhe nxitja e rifillimit të bisedimeve të paqes mes Palestinës dhe Izraelit. "Administrimi i Bregut Perëndimor të pushtuar dhe rindërtimi i Gazës pas luftës duhet të zhvillohen në përputhje me parimin 'Palestinezët qeverisin Palestinën'", tha ai duke kundërshtuar çdo uzurpim toke apo veprim që cenon të drejtat e palestinezëve.

Presidenti kinez i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që angazhimet në mbështetje të Palestinës t’i shndërrojë në veprime konkrete, të nxisë një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza dhe të garantojë sigurinë e civilëve. "Drejtësia do të triumfojë dhe nuk duhet të mungojë", tha Xi duke përsëritur mbështetjen e Kinës për të drejtat legjitime kombëtare të popullit palestinez.

Ai shtoi se Pekini do të vazhdojë të bashkëpunojë me vendet e tjera për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes palestineze, bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite dhe kolonët izraelitë kanë shtuar sulmet ndaj palestinezëve në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar. Sipas të dhënave palestineze, gjatë kësaj periudhe, më shumë se 1.220 palestinezë janë vrarë dhe rreth 13.750 të tjerë janë plagosur nga sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve në Bregun Perëndimor ndërsa mbi 26 mijë persona janë arrestuar.