| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Zambia dhe Türkiye bien dakord të forcojnë bashkëpunimin në infrastrukturën ujore dhe investimet
Marrëveshja u arrit gjatë një takimi në Lusaka midis ambasadorit të Türkiyes në Zambia, Huseyin Barbaros Dicle dhe ministrit të Zhvillimit të Ujit dhe Kanalizimeve të Zambisë, Elisha Matambo.
Zambia dhe Türkiye bien dakord të forcojnë bashkëpunimin në infrastrukturën ujore dhe investimet
Zambia dhe Türkiye bien dakord të forcojnë bashkëpunimin në infrastrukturën ujore dhe investimet / َAA
 

Zambia dhe Türkiye ranë dakord të hënën për të forcuar bashkëpunimin në zhvillimin e infrastrukturës ujore, investimet, transferimin e teknologjisë dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike.

Marrëveshja u arrit gjatë një takimi në Lusaka midis ambasadorit të Türkiyes në Zambia, Huseyin Barbaros Dicle dhe ministrit të Zhvillimit të Ujit dhe Kanalizimeve të Zambisë, Elisha Matambo.

Sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij, Matambo theksoi se ndërtimi i digave, grumbullimi i ujit, ujitja, furnizimi me ujë dhe kanalizimet në zonat urbane e rurale, menaxhimi i ujërave të zeza, teknologjitë e trajtimit të ujit dhe infrastruktura rezistente ndaj klimës janë fusha kyçe për bashkëpunim të mundshëm.

"Matambo rikonfirmoi gatishmërinë e ministrisë për të punuar ngushtë me ambasadën turke, me qëllim identifikimin e fushave praktike të bashkëpunimit që mund të shndërrohen në programe, investime dhe projekte konkrete", thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, ai mirëpriti rritjen e pjesëmarrjes së kompanive dhe investitorëve turq në sektorin e ujit dhe kanalizimeve në Zambia, duke vënë në dukje se partneritete të tilla mund të ndihmojnë në mobilizimin e financimit, ekspertizës teknike, teknologjive moderne dhe zgjidhjeve inovative.

Në deklaratë theksohet se Dicle rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Türkiyes për zhvillimin e sektorit të ujit në Zambia, duke shtuar se vendi i tij zotëron përvojë dhe ekspertizë të gjerë në menaxhimin e burimeve ujore ndërkufitare.

Po ashtu, ai shprehu gatishmërinë e Türkiyes për të mbështetur Zambinë, ndërsa ky vend përgatitet të bashkëkryesojë dialogun interaktiv mbi ujin për bashkëpunim në kuadër të Konferencës së OKB-së për Ujin që do të mbahet në dhjetor 2026 në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe.