| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Centrali i parë diellor lundrues i Türkiyes do të nisë prodhimin e energjisë në fillim të 2027
Objekti është duke u ndërtuar mbi sipërfaqen e rezervuarit të digës "Demirkopru", në distriktin Salihli të provincës Manisa (në rajonin e Egjeut) dhe mbulon një sipërfaqe prej rreth 500 dekarësh.
Centrali i parë diellor lundrues i Türkiyes do të nisë prodhimin e energjisë në fillim të 2027
Centrali i parë diellor lundrues i Türkiyes do të nisë prodhimin e energjisë në fillim të 2027 / َAA
 

Centrali i parë diellor lundrues në Türkiye, në kuadër të programit për Zonat e Burimeve të Energjisë së Rinovueshme (YEKA) do të fillojë prodhimin e energjisë elektrike në fillim të vitit të ardhshëm, deklaroi sot për Anadolu investitori i projektit.

Objekti është duke u ndërtuar mbi sipërfaqen e rezervuarit të digës "Demirkopru", në distriktin Salihli të provincës Manisa (në rajonin e Egjeut) dhe mbulon një sipërfaqe prej rreth 500 dekarësh. Me një investim të vlerësuar në 41 milionë euro, centrali do të përbëhet nga 91.368 panele diellore, secili me një kapacitet prej 550 vatësh.

Ai do të ketë kapacitet të instaluar prej 50,25 megavat-piku (MWp) dhe një kapacitet përçimi në rrjet prej 35 megavatësh, duke synuar një prodhim vjetor prej rreth 77,6 milionë kilovat-orë. Pas marrjes së një para-licence më 23 korrik, punimet në terren filluan tre muaj më parë, ndërsa panelet e para u vendosën mbi ujë në muajin tetor.

Punëtorët i montojnë platformat me panele të shumta në breg, përpara se t'i transportojnë ato me varka drejt pjesëve të brendshme të rezervuarit të digës. Inxhinierët e kanë projektuar sistemin lundrues prej 8.000 tonësh duke përdorur linja fleksibël ankorimi dhe kabllo me gjatësi shtesë, për t'u përshtatur me ndryshimet në nivelin e ujit, erërat dhe dallgët.

Panelet, të cilat janë rezistente ndaj lagështirës dhe rrezeve të diellit, do të monitorohen nga distanca, së bashku me kushtet e erës dhe të ujit ndërkohë përmes marrjes së rregullt të mostrave të ujit, do të monitorohen popullatat e peshqve.

Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për këtë projekt është miratuar nga Ministria e Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike.

Kryetari i kompanisë investitore, Muhammet Balkaya deklaroi për Anadolu se të gjitha fazat inxhinierike dhe ato të materialeve janë realizuar me përpikëri të lartë, duke qenë se ky është instalimi i parë i këtij lloji në Türkiye. "Ne do ta vëmë centralin në punë në faza dhe planifikojmë të fillojmë prodhimin e 9 megavatëve të parë të energjisë elektrike midis fundit të janarit dhe mesit të shkurtrit të vitit 2027", tha Balkaya.

Ai shtoi se i gjithë objekti do të jetë funksional deri në fund të muajit maj, duke siguruar energji elektrike të mjaftueshme për rreth 20 mijë familje. Balkaya theksoi se centralet diellore lundruese shmangin përdorimin e tokave pyjore ose bujqësore ndërkohë që reduktojnë avullimin e ujit dhe mbështesin florën nënujore si dhe diversitetin e peshqve.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë