Ministria e Brendshme e Gazës njoftoi të martën se gjeneral brigade Naim Mohammed Abu Nahl, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit të Sigurisë së Brendshme, u vra në një sulm ajror izraelit në perëndim të qytetit të Gazës.
“Abu Nahl, 50 vjeç, ra dëshmor në një operacion vrasjeje të kryer nga avionët e pushtimit izraelit në perëndim të qytetit të Gazës”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
Më herët, një burim mjekësor tha për Anadolu se një palestinez u vra dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm izraelit me dron, i cili shënjestroi një grup civilësh pranë sheshit Haidar, në perëndim të qytetit të Gazës.
Ndërkohë, ushtria izraelite pretendoi se sulmi kishte në shënjestër atë që e përshkroi si një figurë të lartë të Hamasit në Gaza.
Transmetuesi publik izraelit KAN raportoi më vonë se objektivi i sulmit ishte Abu Nahl.
Duke cituar burime izraelite, KAN bëri të ditur se Abu Nahl kishte pasuar Moein al-Arbeid, i cili u arrestua nga ushtria izraelite dhe Shërbimi i Sigurisë së Brendshme (Shin Bet) gjatë një operacioni special në shtator dhe vazhdon të mbahet në paraburgim izraelit.















