| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Ukraina: Dy persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmi rus në Zaporizhzhia
Guvernatori Mykhailo Semikin thotë se sulmi dëmtoi ndërtesa banimi, shtëpi, automjete dhe infrastrukturën e transportit në kryeqendrën rajonale.
Ukraina: Dy persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmi rus në Zaporizhzhia
Ukraina: Dy persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmi rus në Zaporizhzhia/ AA / َAA
 

Ukraina bëri të ditur të martën se të paktën dy persona u vranë dhe më shumë se 40 të tjerë u plagosën në një sulm rus gjatë natës në qytetin Zaporizhzhia.

Guvernatori rajonal, Mykhailo Semikin, tha në një deklaratë fillestare në Telegram se një shtëpi private u shkatërrua dhe një ndërtesë pesëkatëshe u dëmtua pjesërisht nga sulmi në kryeqendrën rajonale.

Semikin tha se gjatë natës u dëmtuan ndërtesa shumëkatëshe banimi, shtëpi private, automjete dhe një objekt i infrastrukturës së transportit. Sipas tij, një person u plagos nga sulmi.

“Ekipet e shpëtimit po kryejnë operacione kërkim-shpëtimi”, tha Semikin, i cili më vonë e rriti numrin e të plagosurve në 44.

Ndërkohë, guvernatorja e rajonit Vinnytsia, Nataliya Zabolotna, tha se katër persona pësuan lëndime të lehta në rajonin e saj, pasi sulmet dëmtuan një ndërmarrje civile dhe një objekt të infrastrukturës energjetike.

“Gjithashtu, u dëmtuan dy stacione të transportit publik, katër automjete, një trolejbus dhe ndërtesat përreth”, shtoi Zabolotna.

Dëme u raportuan edhe në rajonin veriperëndimor të Zhytomyr-it, ku guvernatori Vitaliy Bunechko tha se në disa vendbanime u dëmtuan një degë e kompanisë “Nova Poshta”, magazina dhe ndërmarrje tregtare pranë tyre, një ndërtesë administrative, objekte banimi dhe institucione arsimore.

Forcat Ajrore të Ukrainës pretenduan se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan 73 nga 96 dronët e lëshuar nga Rusia gjatë natës.

Ndërkohë, agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, duke cituar autoritetet lokale, raportoi se shtatë persona u plagosën në një sulm me dronë ndaj një stacioni autobusësh në qytetin Donetsk, në pjesën e rajonit lindor ukrainas që kontrollohet nga Rusia.

Pretendimet e Moskës dhe Kievit nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur për shkak të luftës në vazhdim.

Të dyja vendet mohojnë se shënjestrojnë qëllimisht infrastrukturën civile, duke këmbëngulur se sulmet drejtohen vetëm ndaj objektivave ushtarake ose objekteve të lidhura me veprimtaritë ushtarake.