| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Norvegjia dhe Ukraina kërkojnë të zgjerojnë bashkëpunimin në mbrojtjen ajrore
"Kohët e fundit, ne kemi parë Rusinë të shtojë sulmet me raketa dhe dronë kundër qyteteve, shtëpive dhe infrastrukturës kritike të Ukrainës", tha ministri norvegjez, Sandvik.
Norvegjia dhe Ukraina kërkojnë të zgjerojnë bashkëpunimin në mbrojtjen ajrore
Norvegjia dhe Ukraina kërkojnë të zgjerojnë bashkëpunimin në mbrojtjen ajrore/ AA / َAA
 

Norvegjia dhe Ukraina kanë diskutuar për zgjerimin e një projekti të përbashkët të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur më shumë zona të Ukrainës nga sulmet ruse me dronë, tha sot Ministria norvegjeze e Mbrojtjes.

Ministri norvegjez i Mbrojtjes, Tore O. Sandvik u takua me homologun e tij ukrainas, Yevhenii Khmara në Oslo për të diskutuar zgjerimin e vendosjes së DESNA-s, një sistem i mbrojtjes ajrore i zhvilluar bashkërisht nga Kongsberg i Norvegjisë dhe një partner i industrisë ukrainase.

"Norvegjia ka blerë dhe ka dhuruar disa nga sistemet në Ukrainë në muajt e fundit", tha ministria. Sandvik tha se sistemet janë tashmë në përdorim dhe se raketat e tyre ukrainase me kosto më të ulët mund të prodhohen në numër të madh mes një mungese globale të raketave të mbrojtjes ajrore.

"Kohët e fundit, ne kemi parë Rusinë të shtojë sulmet me raketa dhe dronë kundër qyteteve, shtëpive dhe infrastrukturës kritike të Ukrainës", tha Sandvik duke shtuar se "Popullsia civile po paguan çmim të lartë për pushtimin e paligjshëm të Rusisë dhe Ukraina ka nevojë të madhe për më shumë mbrojtje ajrore".

Ministrat e Mbrojtjes nënshkruan letër qëllimi që lejon Forcat e Armatosura Norvegjeze të testojnë "Delta"-n, një platformë ukrainase që kombinon informacione nga burime të shumta për të ofruar harta në kohë reale për qendrat e komandës ushtarake.

Ministria norvegjeze e Mbrojtjes tha se marrëveshja e testimit përjashton shkëmbimin e të dhënave operacionale midis dy vendeve.