| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Peleshi takon homologun moldav: Ndajmë të njëjtin synim strategjik, anëtarësimin në BE
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka pritur në një takim kryetarin e Parlamentit të Moldavisë, Igor Grosu, ndërkohë në fokus ishin çështjet mbi forcimin e bashkëpunimit parlamentar dhe mbështetja për integrimin evropian.
Peleshi takon homologun moldav: Ndajmë të njëjtin synim strategjik, anëtarësimin në BE
Peleshi takon homologun moldav: Ndajmë të njëjtin synim strategjik, anëtarësimin në BE/ AA / َAA
 

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka deklaruar se Shqipëria dhe Moldavia ndajnë të njëjtin synim strategjik, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE).

Peleshi ka pritur sot në një takim në Tiranë kryetarin e Parlamentit të Moldavisë, Igor Grosu, ndërkohë në fokus ishin çështjet mbi forcimin e bashkëpunimit parlamentar dhe mbështetja për integrimin evropian.

Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se gjatë takimit, të dy homologët vlerësuan "marrëdhëniet shumë të mira" mes Shqipërisë dhe Moldavisë dhe shprehën vullnetin për t’i thelluar më tej ato, veçanërisht përmes forcimit të bashkëpunimit parlamentar dhe shkëmbimit të përvojave institucionale.

"Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte perspektiva evropiane e të dy vendeve. Kryetari Peleshi rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për procesin e integrimit të Moldavisë në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar përparimin e arritur në negociatat e anëtarësimit, ku deri tani janë hapur katër nga gjashtë grupkapitujt negociues", thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Peleshi ndau përvojën e Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, si vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit të ekspertizës mes dy parlamenteve për të mbështetur reformat dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara për anëtarësim.

"Në fokus të bisedës ishte edhe situata e sigurisë në rajon, mbrojtja e institucioneve demokratike dhe përballimi i kërcënimeve hibride, ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit. Të dyja palët nënvizuan rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit në forumet parlamentare ndërkombëtare, si dhe të angazhimit të përbashkët për mbrojtjen e vlerave demokratike dhe stabilitetit rajonal", thekson njoftimi.

Ndërkohë, në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Peleshi ka deklaruar se një partneritet më i ngushtë dhe më shumë mundësi bashkëpunimi janë në funksion të së ardhmes evropiane të të dy vendeve si dhe të sigurisë e paqes.

"Shqipëria dhe Moldavia ndajnë të njëjtin synim strategjik, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, bashkëpunimi parlamentar dhe shkëmbimi i përvojave në procesin e negociatave dhe avancimin e reformave të integrimit marrin një rëndësi të veçantë", ka theksuar Peleshi.