| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Gjykatat Kushtetuese të RMV-së dhe BeH-së nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Në njoftim theksohet se me këtë memorandum rikonfirmohen marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimi i deritanishëm mes dy institucioneve.
Gjykatat Kushtetuese të RMV-së dhe BeH-së nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Gjykatat Kushtetuese të RMV-së dhe BeH-së nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi / َAA
 

Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga kryetari i saj, Darko Kostadinovski, po zhvillon një vizitë dypalëshe me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), në periudhën nga 22 deri më 25 nëntor 2026.

Siç njofton Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, Kostadinovski dhe homologu i tij i BeH-së, Mirsad Qeman, gjatë vizitës nënshkruan një memorandum bashkëpunimi.

Në njoftim theksohet se me këtë memorandum rikonfirmohen marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimi i deritanishëm mes dy institucioneve.

Po ashtu, thuhet se përmes këtij memorandumi vendoset një kornizë për intensifikimin e bashkëpunimit në të ardhmen përmes shkëmbimit të informacioneve profesionale dhe praktikës gjyqësore kushtetuese, organizimit të takimeve profesionale, seminareve dhe konferencave të përbashkëta, si dhe formave të tjera të bashkëpunimit me interes të ndërsjellë.

“Memorandumi shpreh përkushtimin e përbashkët të dy gjykatave kushtetuese për zhvillimin e marrëdhënieve të partneritetit, të bazuara në respektin e ndërsjellë, bashkëpunimin profesional dhe shkëmbimin e përvojave, duke respektuar plotësisht pavarësinë e tyre kushtetuese dhe institucionale”, tha gjykata.

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut përbëhet nga kryetari Kostadinovski, gjyqtaret Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, Fatmir Skender dhe Meri Dika-Gjeorgievska, sekretarja e përgjithshme, Violeta Gjorgjievska, si dhe këshilltarja e pavarur për çështje protokollare, Simona Gerasimova-Jovanovska.

Delegacioni u prit në Gjykatën Kushtetuese të BeH-së nga kryetari Qeman, nënkryetarja Valerija Galiq, gjyqtarët Marin Vukoja dhe Larisa Veliq, sekretarja e përgjithshme, Natasha Vukoviq dhe regjistruesja Erda Zaqiragiq.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë