| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Kryeministri bullgar: Paralajmërimi i BE-së për deficitin, "qortim" për qeveritë e mëparshme
Rumen Radev akuzon administratat e mëparshme për shpenzime të pakontrolluara dhe zotohet për reforma që e synojnë forcimin e financave publike dhe tërheqjen e investimeve.
Kryeministri bullgar: Paralajmërimi i BE-së për deficitin, "qortim" për qeveritë e mëparshme
Kryeministri bullgar: Paralajmërimi i BE-së për deficitin, "qortim" për qeveritë e mëparshme / َAA
 

Kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, e cilësoi sot paralajmërimin e Komisionit Evropian për deficitin e tepërt të vendit si një “qortim të ashpër” ndaj politikave të shpenzimeve publike të qeverive të mëparshme.

“Dje, Komisioni Evropian u dha një qortim të ashpër të gjithë atyre që ndër vite kanë shpenzuar pa kriter, pa tërhequr investime, kanë marrë kredi pa zhvilluar ekonominë, kanë gënjyer për deficitin real për ta futur Bullgarinë në Eurozonë dhe i kanë çuar financat publike drejt një deficiti të tepërt dhe katastrofe”, tha Radev.

Ai i bëri këto komente në hapje të mbledhjes së përjavshme të qeverisë, sipas agjencisë bullgare të lajmeve BTA. Radev mirëpriti gjithashtu parashikimin ekonomik të KE-së për vitin e ardhshëm, duke thënë se ai mbështeste politikat e qeverisë së tij.

“Parashikimi pozitiv i KE-së për vitin e ardhshëm është një konfirmim i qartë se kursi që kemi ndjekur është i duhuri”, tha ai. “Ne nuk do t’i përmbushim ëndrrat nihiliste të opozitës për pezullimin e fondeve të BE-së dhe pagesave në kuadër të Planit të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës”, shtoi ai.

- Qeveria zotohet për reforma në luftën kundër korrupsionit

Radev u zotua të vazhdojë reformat që synojnë të luftojnë joefikasitetin dhe korrupsionin në ndërmarrjet shtetërore, duke përmendur masat e ristrukturimit të ndërmarra nga Ministria e Ekonomisë. Masat përfshijnë mbylljen e kompanive që konsiderohen me rrezik të lartë korrupsioni, eliminimin e njësive administrative me funksione të mbivendosura si dhe zvogëlimin e strukturave organizative dhe pagave të bordeve drejtuese.

Sipas tij, qeveria planifikon të shkurtojë shpenzimet e pajustifikuara dhe ta forcojë transparencën dhe llogaridhënien në ndërmarrjet shtetërore. Ai tha se reformat synojnë ta rikthejnë besimin e investitorëve dhe të përmirësojnë stabilitetin ekonomik të Bullgarisë.

“Ky është drejtimi që e ka marrë qeveria dhe të cilin do ta ndjekë me vendosmëri, me qëllim përmirësimin e mjedisit të biznesit, tërheqjen e më shumë investimeve, rritjen e produktivitetit, futjen e teknologjive moderne dhe zhvillimin e prodhimit të orientuar drejt eksportit, me vlerë të lartë të shtuar si dhe rritjen e standardit të jetesës përmes rritjes reale ekonomike dhe jo përmes huamarrjes”, tha ai.

- BE-ja paralajmëron 11 vende për rregullat e shpenzimeve

KE-ja paralajmëroi të martën 11 vende anëtare të BE-së se rrezikojnë të shkelin rregullat e bllokut për shpenzimet publike. Ai rekomandoi avancimin e procedurave për deficitin e tepërt ndaj Bullgarisë dhe Hungarisë, duke thënë se të dyja vendet nuk kishin ndërmarrë masa të mjaftueshme korrigjuese.

Më tej, KE-ja i kërkoi Këshillit të BE-së të përcaktojë zyrtarisht se asnjëri prej vendeve nuk kishte marrë masa efektive për të trajtuar deficitin e tepërt. Një vendim i tillë mund të hapë rrugën për plane të rishikuara për uljen e deficitit dhe pezullimin e mundshëm të disa fondeve të BE-së.