Samiti i 12-të Botëror Hallall dhe Hallall Expo i Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) hapën dyert në Istanbul të Türkiyes, duke mbledhur së bashku aktorë globalë të industrisë hallall.
Aktivitetet, të organizuara në Qendrën Expo të Istanbulit nën patronazhin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe në koordinim me Ministrinë turke të Tregtisë, mbledhin zyrtarë publikë, organizata ndërkombëtare dhe përfaqësues të biznesit.
Panairi Hallall Expo do të zgjasë deri të shtunën ndërsa Samiti Botëror Hallall deri të premten. Sipas Ministrisë së Tregtisë, edicioni i këtij viti mirëpret 225 kompani, përfshirë 153 vendase dhe 72 të huaja, me përfaqësim të 25 vendeve përmes 11 pavijoneve kombëtare dhe pjesëmarrësve individualë nga 14 vende.
Ministri i Tregtisë, Omer Bolat është ndër zyrtarët që marrin pjesë në aktivitetin që këtë vit mbahet nën temën "Ekonomia e Qëndrueshme Hallall: Eliminimi i Mbetjeve, Fuqizimi i Rritjes". Panelet dhe konferencat në kuadër të samitit do të trajtojnë rolin e sektorit hallall në tregtinë globale, standardet ndërkombëtare, proceset e certifikimit dhe akreditimit, prodhimin e qëndrueshëm dhe mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik.
Ekspozita bashkon prodhues, blerës, investitorë dhe distributorë nga sektorët e ushqimit hallall, kozmetikës, produkteve farmaceutike, turizmit, financave, tekstileve dhe modës modeste, përfshirë hapësira tematike për produktet me marka private dhe mallrat natyrale, organike dhe vegane.
Edicioni i vitit të kaluar, i mbajtur në të njëjtin ambient, tërhoqi rreth 500 ekspozues nga afro 50 vende dhe më shumë se 50 mijë vizitorë nga afro 110 vende, përfshirë 1.000 blerës ndërkombëtarë dhe mbi 9.000 delegatë ndërkombëtarë.















