Nisi sot Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, “New Frontier Investment Conference”, ku ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi vizionin e Shqipërisë për tërheqjen e investimeve cilësore, forcimin e integrimit industrial rajonal dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me Bashkimin Evropian.
Në fjalën e saj, ministrja theksoi se objektivi i këtij edicioni është kalimi nga dialogu te vendimmarrja konkrete për investime dhe nga konvergjenca ekonomike te mobilizimi i kapitalit publik dhe privat. Duke iu referuar zhvillimeve ekonomike në Evropë dhe riorganizimit të zinxhirëve të furnizimit, Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë aktive e transformimit industrial, digjital dhe të gjelbër të kontinentit.
Ajo bëri të ditur se Shqipëria propozon, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, shqyrtimin e mundësisë për zhvillimin e një Projekti të Rëndësishëm me Interes të Përbashkët Evropian (IPCEI), ku të përfshihet edhe Ballkani Perëndimor. Nisma synon të lidhë burimet natyrore, energjinë e pastër, kapacitetet kërkimore dhe prodhuese të rajonit me nevojat strategjike të industrisë evropiane, duke krijuar zinxhirë të rinj dhe më të qëndrueshëm të furnizimit.
Ibrahimaj theksoi se sfida e radhës nuk është vetëm rritja e volumit të investimeve, por përmirësimi i cilësisë së tyre, përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të furnitorëve vendas, rritjes së produktivitetit dhe krijimit të vendeve të punës që kërkojnë aftësi të specializuara.
Ajo nënvizoi gjithashtu potencialin e Shqipërisë në eksportin e shërbimeve me vlerë të lartë, veçanërisht në inxhinieri, zhvillimin e programeve kompjuterike, shërbimet shëndetësore dhe logjistikë, duke theksuar se zhvillimi i aftësive profesionale dhe bashkëpunimi i ngushtë mes arsimit dhe industrisë do të jenë përcaktues për fazën e ardhshme të rritjes ekonomike.
Vlerësoi rëndësinë e Planit të Rritjes të BE-së dhe Tregut të Përbashkët Rajonal si instrumente për reduktimin e fragmentimit ekonomik, lehtësimin e aktivitetit ndërkufitar dhe zgjerimin e mundësive për bizneset e Ballkanit Perëndimor.
“Zgjerimi duhet parë jo vetëm si zgjerim i tregut evropian, por edhe si zgjerim i kapaciteteve industriale dhe prodhuese të Evropës”, theksoi Ibrahimaj, duke ftuar investitorët ndërkombëtarë të eksplorojnë potencialin e kompanive shqiptare dhe perspektivat afatgjata të rajonit.
Konferenca dyditore synon të forcojë dialogun mes institucioneve evropiane, investitorëve, institucioneve financiare dhe sipërmarrjes, duke identifikuar projekte konkrete dhe mundësi të reja bashkëpunimi për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.















