| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Kancelari gjerman Merz: Evropa do t'ia tregojë Rusisë kufijtë e saj
Kancelari gjerman Merz akuzoi Rusinë për një përshkallëzim masiv, nga rajoni i Baltikut e deri në Detin e Zi dhe u zotua se evropianët do të ndërmarrin çdo hap për t'i treguar Moskës kufijtë e saj.
Kancelari gjerman Merz: Evropa do t'ia tregojë Rusisë kufijtë e saj
Friedrich Merz / Foto: DPA
 

Kancelari gjerman Friedrich Merz akuzoi sot Rusinë për një përshkallëzim masiv, nga rajoni i Baltikut e deri në Detin e Zi dhe u zotua se evropianët do të ndërmarrin çdo hap për t'i treguar Moskës kufijtë e saj.

Duke iu drejtuar ligjvënësve në Bundestag gjatë debatit përfundimtar mbi buxhetin federal, Merz theksoi kërcënimin dhe përgjigjen e Evropës ndërsa mbrojti një rritje të ndjeshme të shpenzimeve për mbrojtjen. "Rusia po përshkallëzon situatën në rajonin e Baltikut, në Poloni, në Detin e Zi dhe në hapësirë", tha ai duke iu referuar raporteve të fundit se Moska po zhvillon armë bërthamore kundër satelitëve.

"Rusia po përshkallëzon situatën në mënyrë tejet masive, madje edhe këtu në vendin tonë, duke rrezikuar edhe jetë njerëzish. Kjo është situata, zonja dhe zotërinj. Dhe pikërisht për këtë arsye ne duhet dhe do ta bëjmë që si evropianë, t'i tregojmë Rusisë kufijtë e saj, në çdo kuptim të fjalës", tha Merz.

Buxheti për vitin 2027 parashikon shpenzime totale për mbrojtjen prej 139.4 miliardë eurosh, një rritje prej 31 2 miliardë eurosh krahasuar me 108.2 miliardë eurot e alokuara në vitin 2026.

Kjo shifër totale përfshin 109.7 miliardë euro nga buxheti i rregullt i mbrojtjes si dhe 29,6 miliardë euro nga fondi i posaçëm për Bundeswehr-in (forcat e armatosura gjermane), i krijuar në vitin 2022.

Blerjet ushtarake pritet të kalojnë vlerën e 60 miliardë eurove dhe do të mbulojnë avionë, pajisje e infrastrukturë ndërsa Berlini punon për të përmbushur objektivat e NATO-s për shpenzime më të larta në mbrojtje.