| Albanian
SOCIALE
3 minuta leximi
Halkbank me mbështetje për projektin "Shëndeti mendor mbi të gjitha" të Fshatit SOS për Fëmijë
Me mbështetjen e projektit "Shëndeti mendor mbi të gjitha", Halkbank vazhdon përkushtimin e saj ndaj nismave me përgjegjësi shoqërore, duke vënë theksin te kujdesi për fëmijët dhe të rinjtë.
Halkbank me mbështetje për projektin "Shëndeti mendor mbi të gjitha" të Fshatit SOS për Fëmijë
Halkbank me mbështetje për projektin "Shëndeti mendor mbi të gjitha" të Fshatit SOS për Fëmijë / َAA
 

Halkbank AD Shkup vazhdon bashkëpunimin e saj shumëvjeçar me Fshatin SOS për Fëmijë, përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje të re për donacion, me qëllim mbështetjen e projektit "Shëndeti mendor mbi të gjitha", i cili synon të sigurojë ndihmë psikologjike, edukim special dhe rehabilitim për fëmijët dhe të rinjtë pa përkujdesje prindërore.

Sipas njoftimit të Halkbank AD Shkup, përmes këtij donacioni, banka kontribuon në përmirësimin e shëndetit të tyre mendor, zhvillimin emocional dhe tejkalimin e pasojave të përvojave traumatike.

Projekti realizohet përmes Qendrës së Këshillimit për Mbështetje Psikologjike dhe Edukim Special me Rehabilitim të Fshatit SOS për Fëmijë, e cila ofron ndihmë profesionale të përshtatur me nevojat individuale të fëmijëve dhe të rinjve.

Aktivitetet përfshijnë këshillim psikologjik, trajtime të specializuara për fëmijët me sfida zhvillimore dhe mbështetje për fëmijët me vështirësi shqisore dhe njohëse. Qëllimi është të forcohet aftësia e tyre për t'u përballur me vështirësitë emocionale, të nxitet zhvillimi personal dhe të krijohen kushte më të mira për pavarësinë e tyre në të ardhmen, thuhet në njoftim.

"Shëndeti mendor është themeli i zhvillimit të shëndetshëm dhe i një jete cilësore, veçanërisht te fëmijët që janë përballur me përvoja të vështira jetësore. Besojmë se mbështetja profesionale në kohë mund të bëjë ndryshim thelbësor në rritjen e tyre dhe në mundësitë që do të kenë në të ardhmen. Prandaj, jemi veçanërisht të kënaqur që përmes partneritetit shumëvjeçar me Fshatin SOS për Fëmijë mund të kontribuojmë në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm dhe t'i ndihmojmë fëmijët dhe të rinjtë të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt", theksojnë nga Halkbank AD Shkup.

- "Partneritetet afatgjata si ky me Halkbank kanë vlerë të veçantë"

Hulumtimet tregojnë se fëmijët që rriten pa përkujdesje prindërore përballen me rrezik më të lartë për sfida emocionale dhe zhvillimore, gjë që thekson rëndësinë e mbështetjes profesionale në kohë dhe të vazhdueshme.

Pikërisht për këtë arsye, përmes projektit "Shëndeti mendor mbi të gjitha", Fshati SOS për Fëmijë ofron mbështetje psikologjike të individualizuar, edukim special dhe rehabilitim, të përshtatura sipas nevojave individuale të secilit fëmijë.

"Ndryshimet pozitive në jetën e fëmijëve dhe të rinjve pa përkujdesje prindërore nuk ndodhin menjëherë. Ato ndërtohen gradualisht, me besim, durim dhe mbështetje profesionale të vazhdueshme. Për fëmijët që kanë kaluar përvoja të vështira jetësore, ndihma psikologjike është pjesë e rëndësishme e procesit të forcimit të vetëbesimit, tejkalimit të sfidave dhe zhvillimit të potencialeve të tyre.

Pikërisht për këtë arsye, partneritetet afatgjata si ky me Halkbank kanë vlerë të veçantë. Mbështetja e tyre na mundëson të sigurojmë vazhdimësi në kujdes dhe të krijojmë kushte që çdo fëmijë të rritet me më shumë siguri, të përparojë dhe të besojë në mundësitë e veta", theksojnë nga Fshati SOS për Fëmijë.

Me mbështetjen e projektit "Shëndeti mendor mbi të gjitha", Halkbank vazhdon përkushtimin e saj ndaj nismave me përgjegjësi shoqërore, duke vënë theksin te kujdesi për fëmijët dhe të rinjtë dhe sigurimi i mundësive të barabarta për zhvillimin e tyre të shëndetshëm.