Türkiye beson se rruga drejt paqes, drejtësisë dhe prosperitetit të përbashkët kalon përmes familjes, tha Zonja e parë Emine Erdoğan.
Në një deklaratë në platformën turke të mediave sociale NSosyal të hënën, Erdoğan tha se familja nuk është vetëm njësia themelore e shoqërisë, por edhe element themelor i zhvillimit të qëndrueshëm shoqëror, ekonomik dhe kulturor, duke shprehur kënaqësinë e saj për pjesëmarrjen në programin "Më mirë së bashku: Solidariteti global i rrënjosur në familje", të organizuar nga Ministria Turke e Familjes dhe Shërbimeve Sociale si pjesë e ngjarjeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë javë në Nju Jork.
Ajo tha se gjatë programit, ata diskutuan "fushat tona të përbashkëta të punës" për ta mbrojtur dhe për ta forcuar familjen.
"Ne diskutuam se si qasjet e përqendruara në familje mund ta forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar, të kontribuojnë në stabilitetin shoqëror dhe të shërbejnë si forcë transformuese nga lokalja në globale", shtoi Erdoğan.
Familja është bartëse e vlerave, streha më e sigurt për fëmijët tanë dhe e ardhmja e njerëzimit, theksoi ajo, duke shtuar se në hijen e krizave, konflikteve dhe fatkeqësive, "e vërteta që na udhëzon është se solidariteti fillon me familjen".
"Sa më shumë ta mbrojmë familjen, aq më shumë mund të ndërtojmë një botë më të drejtë, më paqësore dhe më të begatë", shtoi Erdoğan.
Ajo shprehu gjithashtu besimin se çdo mendim dhe sugjerim i shprehur në këtë drejtim do të frymëzojë hapa globalë për ta mbrojtur institucionin e familjes.