RAJONI
2 minuta leximi
Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori shqiptar Enver Petrovci
Petrovci ishte i njohur për rolet e tij të paharrueshme në teatër, film dhe televizion, duke shfaqur një talent të rrallë për interpretim.
Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori shqiptar Enver Petrovci
Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori shqiptar Enver Petrovci
7 orë më parë

Është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare një nga figurat më të njohura të botës së artit shqiptar, aktori dhe regjisori Enver Petrovci.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Teatri Kombëtar i Kosovës, të cilët kanë shprehur ngushëllime duke shtuar se informacionet lidhur me ceremoninë e varrimit dhe mbledhjen komemorative do të bëhen të ditura në ditët në vijim.

Petrovci ishte i njohur për rolet e tij të paharrueshme në teatër, film dhe televizion, duke shfaqur një talent të rrallë për interpretim.

Enver Petrovci u lind në vitin 1954 në Prishtinë, ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin, mbaroi studimet për aktrim në Shkollën e Lartë Pedagogjike (1972) në Prishtinë, ndërsa në Beograd kreu Fakultetin e Arteve Dramatike (1978).

Me shfaqjet “Mblesëria” dhe “Martesa” të A. P. Çehovit, si student, mori pjesë në të gjitha festivalet e ish-Jugosllavisë, si dhe në disa festivale ndërkombëtare. Pas diplomimit punoi në Teatrin Jugosllav të Dramës.

Në “Atele 212” luajti rolin kryesor në shfaqjen “Kurora e Kosançiçit”, ndërsa pas kësaj shfaqjeje, në vitet ’80 u angazhua kryesisht në rolet kryesore teatrore. Me thellimin e krizës në ish-Jugosllavi, u largua nga Beogradi dhe në Prishtinë luajti shfaqjet “Konfiteori”, “Procesi” dhe “Nastasja Filipovna”.

Ndërkohë u angazhua në disa teatro të rëndësishme, si në Dubrovnik, në Suboticë, në Novi-Sad dhe të tjerë.

Në fillim të viteve ’90 u zgjodh ligjërues i aktrimit dhe i diksionit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

Në vitet 1990–1993 ishte themelues dhe drejtor i Teatrit “Dodona” në Prishtinë. Pas largimit nga puna në Teatrin “Dodona”, në vitin 1994 themeloi shkollën e parë private të aktrimit “Actor’s Studio” në Prishtinë.

Luajti një numër të madh rolesh teatrore dhe në dhjetëra filma, seriale dhe drama televizive, kryesisht në role kryesore.

Në mesin e roleve kryesore në filma dhe seriale televizive, do veçohej “Kur pranvera vonohet” (1980), “Dhimbja krenare” (1990) dhe “Rojat e mjegullës” (1988).

U shpërblye me shumë çmime si në festivalet teatrore më prestigjioze të ish-Jugosllavisë, ashtu edhe në ato në Kosovë dhe Shqipëri.

Krahas aktivitetit artistik, Petrovci punonte edhe si pedagog në degën e aktrimit të Fakultetit i Arteve të Universitetit të Prishtinës.

 


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë