Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, u ndal të martën te vendimi i Izraelit për ta njohur Somalilandin si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë i vetmi vend që e ka bërë këtë, dhe theksoi se ky vendim nuk i sjell përfitime as Somalisë dhe as rajonit.
“Dua të ritheksoj se njohja e Somalilandit nga Izraeli nuk do t’i sillte përfitime as Somalilandit dhe as Bririt të Afrikës”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Etiopisë, Abiy Ahmed, në Addis Abeba.
Ankaraja beson se vendet e rajonit duhet të zhvillojnë vetë zgjidhje për problemet e rajonit, tha Erdogan, duke bërë thirrje që Briri i Afrikës të mos shndërrohet në “arenë përplasjesh të fuqive të huaja”.
Duke theksuar marrëdhëniet dypalëshe mes Türkiyes dhe Etiopisë, Erdoğan tha se është “burim krenarie” fakti që mbi 200 kompani turke, me investime në vlerë prej 2,5 miliardë dollarësh, po mbështesin punësimin e rreth 20 mijë personave në Etiopi.
Kërkesa për qasje në det
Nga ana tjetër, kryeministri etiopian tha se i ka kërkuar Türkiyes mbështetje për përpjekjet e Addis Abebës për të siguruar qasje në det, duke e cilësuar këtë si një fokus qendror të bisedimeve me presidentin turk.
Abiy tha në një konferencë të përbashkët për media se ka diskutuar me udhëheqësin turk “kërkimin për qasje në det” të Etiopisë dhe ka mirëpritur diskutimet e forta dhe konstruktive për këtë çështje.
Etiopia, e cila është pa dalje në det që nga pavarësia e Eritresë në vitin 1993, e ka përshkruar vazhdimisht sigurimin e një qasjeje të besueshme detare si prioritet strategjik.
Vizita e Erdoğanit shënoi një udhëtim të rrallë të nivelit të lartë, ku morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të Türkiyes, dhe erdhi në një kohë kur dy vendet synojnë të thellojnë lidhjet ekonomike dhe politike në prag të njëqindvjetorit të marrëdhënieve, të cilat nisën në vitin 1926.
Udhëheqësit diskutuan gjithashtu zgjerimin e marrëdhënieve tregtare, me zyrtarë etiopianë që thanë se të dyja palët synojnë ta rrisin tregtinë dypalëshe në të paktën 1 miliard dollarë.
Abiy po ashtu inkurajoi investime më të mëdha nga kompanitë turke në Etiopi, e cila tashmë strehon një nga përqendrimet më të mëdha të bizneseve turke në Afrikën Sub-Sahariane, veçanërisht në sektorët e prodhimit dhe ndërtimit.
Të dyja palët diskutuan edhe bashkëpunimin në forume ndërkombëtare, përfshirë negociatat klimatike të lidhura me COP31, e cila do të mbahet vitin e ardhshëm fillimisht në Türkiye dhe më pas në Etiopi.



























