Kreu i Komunikimeve të Türkiyes, Burhanettin Duran, të martën i cilësoi veprimet e Izraelit në Gaza si një gjenocid dhe pushtim sistematik, duke shënuar përvjetorin e dytë të sulmeve, të cilat kanë vrarë mbi 67.000 njerëz.
Në një postim në platformën turke të mediave sociale NSosyal, Duran tha se situata "nuk është vetëm tragjedia e popullit palestinez, por edhe një rekord turpi që vë në pikëpyetje rendin ndërkombëtar, sundimin e ligjit dhe vlerat themelore njerëzore. Heshtja e bashkësisë ndërkombëtare ka ekspozuar edhe një herë dështimin e mekanizmave të drejtësisë".
Duran tha se e marta shënon dy vjet që nga 7 tetori 2023, dita kur Izraeli nisi sulmet e tij në Gaza, të cilat ai i përshkroi si pjesë të një fushate të vazhdueshme gjenocidi.
"Bombardimet, bllokadat dhe shkatërrimi sistematik kanë marrë dhjetëra mijëra jetë civile, përfshirë gra dhe fëmijë", tha ai. "Në sytë e botës, një popull është privuar nga toka e tij dhe të drejtat e tij më themelore. Ajo që po ndodh në Gaza nuk është një 'konflikt' - është një gjenocid dhe pushtim i qëllimshëm dhe sistematik".
Duran shtoi se Türkiye ka folur vazhdimisht kundër këtyre veprimeve dhe ka qëndruar në krah të të shtypurve.
“Nën udhëheqjen e Presidentit Rexhep Tajip Erdoğan, ne vazhdojmë ta mbajmë këtë qëndrim si në frontet diplomatike ashtu edhe në ato humanitare. Kjo luftë do të vazhdojë derisa të dëgjohen zërat e palestinezëve dhe të arrihet drejtësia”, tha Duran.
Duran gjithashtu ndau një video të titulluar “Gjenocid i Pafund: Gaza”, duke theksuar krizën humanitare të vazhdueshme në rajon.