Zëvendëskryeministri i Malit të Zi për Çështje të Jashtme dhe Evropiane, Filip Ivanoviq, shprehu shqetësim serioz për bllokimin e ndihmës humanitare dhe shërbimeve thelbësore për nevojat bazë të popullsisë në Gaza.
“Bllokimi i ndihmës humanitare dhe shërbimeve që plotësojnë nevojat bazë në Gaza është jashtëzakonisht shqetësues. Negociatat duhet të sjellin një rezultat të shpejtë, të gjithë pengjet duhet të lirohen, vuajtjet dhe dhuna duhet të ndalen”, shkroi Ivanoviq në X.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur bashkësia ndërkombëtare po bën thirrje gjithnjë e më të fuqishme për sigurimin e ndihmës së pandërprerë për civilët.
Mediat izraelite raportuan javën e kaluar se Izraeli planifikon një strategji eskaluese kundër Gazës, duke përfshirë ndërprerjen e ujit dhe energjisë elektrike, atentate të synuara, zhvendosje të detyruar të palestinezëve nga veriu në jug të Gazës dhe vazhdimin e luftës.
Izraeli gjithashtu ndaloi hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza javën e kaluar, gjë që ka shkaktuar paralajmërime nga organizatat lokale dhe grupet për të drejtat e njeriut për rikthimin e urisë masive në mesin e popullsisë palestineze.