Kandidati për kryeministër i Izraelit, Gadi Eisenkot deklaroi sot se nuk sheh ndonjë "kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të afërt" nga Irani, i cili do të kërkonte ndonjë veprim përpara formimit të qeverisë së re izraelite.
"Sa i përket Iranit, aktualisht nuk shoh ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të afërt ndaj Izraelit që të kërkojë ndonjë veprim para se të formohet qeveria", citoi "Channel 12" të ketë thënë Eisenkot gjatë një takimi partiak.
Në lidhje me negociatat me partinë "Likud" të kryeministrit në detyrë Benjamin Netanyahu, Eisenkot tha se partia e tij po përpiqet të formojë një qeveri uniteti, e bazuar në "avancimin e vlerave thelbësore".
"Nuk do të ketë kompromis sa i përket ngritjes së një komisioni shtetëror hetimor, zbatimit të shërbimit kombëtar universal, transformimit të realitetit të sigurisë dhe mbrojtjes së demokracisë sonë", tha ai.
Partia "Likud" dhe partia "Yashar" e Eisenkotit ranë dakord të dielën për të zhvilluar raund tjetër bisedimesh, pasi një takim katërorësh nuk arriti të prodhonte konsensus për formimin e një qeverie uniteti. Netanyahu pohoi se "ata që i nënvlerësojnë kërcënimet kundër nesh, e bëjnë këtë për arsye politike".
Ndërkohë, Komisioni për Punët e Jashtme dhe Mbrojtjen në Knesset (Parlamenti izraelit) u mblodh për herë të parë të hënën, nën drejtimin e kryetarit të ri, Avigdor Lieberman.
"Nëse Netanyahu urdhëron sulm të pavarur ndaj Iranit, ky do të ishte një urdhër qartazi i paligjshëm", citoi "Channel 12" të ketë thënë Lieberman. Blloku i Eisenkotit përfshin partinë "Yashar", listën "Së Bashku" (Together) të Naftali Bennett-it me 12 vende, partinë "Yisrael Beiteinu" të Lieberman-it me shtatë vende si dhe "Demokratët" e Yair Golan-it me tetë vende.
Nëse bisedimet dështojnë, "Yashar" planifikon të kërkojë miratimin e Knesset-it për një qeveri të pakicës, përpara se mandati i Eisenkotit të skadojë më 6 dhjetor. Kjo qeveri do të mbështetej në përkrahjen e jashtme nga "Lista e Përbashkët" dhe "Listës së Bashkuar Arabe", dy parti arabe që zotërojnë gjithsej 19 vende.
Një qeveri e pakicës mund ta kalojë votëbesimin nëse votat pro janë më të shumta se ato kundër ndërsa ligjvënësit jashtë koalicionit mund ta mbështesin atë pa u bërë pjesë e kabinetit qeveritar. Netanyahu, 77 vjeç, ka drejtuar një qeveri të ekstremit të djathtë që nga fundi i vitit 2022. Ai po gjykohet për korrupsion dhe që nga viti 2024 ndaj tij është lëshuar urdhërarrest nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.















