Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), me rastin e muajit të Ramazanit, shpërndau pako me ndihma ushqimore për familjet në nevojë në Shqipëri.
Në ceremoninë e shpërndarjes, të mbajtur në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, morën pjesë Koordinatori i TİKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, kryetari i Fondacionit Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), Mehdi Gurra, si dhe familjet përfituese të paketave të ndihmës.
Në fjalën e tij, Ata tha se në fazën e parë do të shpërndahen paketa për 900 familje në Tiranë.
Ai theksoi se në programet e këtij viti për Ramazanin, TİKA do të nxjerrë në pah mesazhin “Sofra jonë e zemrës qoftë e begatë”, duke shtuar:
“Sepse besojmë se begatia e vërtetë është një vlerë që shtohet duke u ndarë dhe shumfishohet duke u shpërndarë. Ramazani nuk na mëson vetëm të qëndrojmë pa ushqim, por të kuptojmë atë që është i uritur; jo vetëm të mendojmë për sofrën tonë, por edhe për sofrën e atyre që janë në nevojë. Në këtë kuadër, për ta pasqyruar frymën e unitetit dhe ndarjes gjatë muajit të Ramazanit, gjatë këtij muaji do t’u shpërndajmë pako ushqimore gjithsej 3.500 familjeve”.
Nga ana e tij, Gurra theksoi se, ashtu si çdo vit, edhe këtë vit në bashkëpunim me TİKA-n po u ofrojnë ndihmë familjeve në nevojë, duke thënë:
“Dua të falënderoj, në radhë të parë Republikën e Türkiyes dhe TİKA-n për kontributin e dhënë në rritjen e mirëqenies së familjeve jetimore që janë pjesë e fondacionit tonë.”
Ndihmat e Ramazanit do t’u shpërndahen familjeve në nevojë jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet Kukës, Pogradec, Vlorë, Fier, Korçë, Peshkopi, Bulqizë dhe Berat.



























