Përdorimi i raketës "Oreshnik" nga Rusia në Ukrainë është përshkallëzim dhe një paralajmërim për Evropën dhe ShBA-në, tha sot shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ndërsa shumë kryeqytete evropiane dënuan sulmet e fundit në Ukrainë.
"Putini nuk dëshiron paqe, përgjigjja e Rusisë ndaj diplomacisë është më shumë raketa dhe shkatërrim. Ky model vdekjeprurës i sulmeve të mëdha ruse të përsëritura do të përsëritet derisa ne ta ndihmojmë Ukrainën ta thyejë atë", tha Kallas në një postim në platformën sociale të kompanisë amerikane X.
"Përdorimi i raportuar nga Rusia i një rakete 'Oreshnik' është përshkallëzim i qartë kundër Ukrainës dhe është menduar si paralajmërim për Evropën dhe ShBA-në", tha Kallas. Ajo u bëri thirrje vendeve të BE-së t’i përforcojnë aftësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe të rrisin koston e luftës ndaj Rusisë përmes sanksioneve më të ashpra.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se lëshoi raketën hipersonike "Oreshnik" në përgjigje të sulmit të supozuar të Kievit ndaj një rezidence të presidentit Vladimir Putin muajin e kaluar.
Përpjekjet e udhëhequra nga ShBA-ja për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë kanë vazhduar që kur presidenti i ShBA-së, Donald Trump, filloi mandatin e tij të dytë në 2025, por pa ndonjë rezultat konkret deri më tani.
Rusia thotë se çdo zgjidhje paqeje duhet ta njohë kontrollin e saj mbi territorin e pushtuar ukrainas që nga lufta e vitit 2022, ndërsa Kievi duhet të mbetet neutral dhe të ketë kufizime për ushtrinë ukrainase.
Ndërkohë, Ukraina ka bërë thirrje për garanci të forta sigurie dhe mbetet e pavendosur për çdo lëshim territorial.
Udhëheqës të tjerë evropianë kritikuan Rusinë.
Kryeministri estonez Kristen Michal i përshkroi sulmet si "terror", duke i theksuar vështirësitë dimërore me të cilat përballen civilët, përfshirë shtëpitë pa ngrohje, energji elektrike ose ujë.
"Rusia e zgjat luftën qëllimisht. Përgjigjja jonë duhet të jetë e qartë: presion, sanksione, llogaridhënie. Rusia nuk i përgjigjet vullnetit të mirë. Ajo i përgjigjet vetëm forcës", tha ai në X.
Ministrja e Jashtme e Rumanisë, Toiu Oana, dënoi sulmet ndaj Kievit dhe Lvivit si "shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar humanitar" dhe "kërcënim serioz për stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar".
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, tha se sulmi me raketa është pjesë e fushatës së gjatë të Rusisë kundër Ukrainës dhe "provokim i qëllimshëm" pranë kufijve të BE-së dhe NATO-s.
"Një gjë është e qartë. Rusia po qëndron në rrugën e saj të vjetër. Ajo nuk kërkon paqe dhe nuk e ka braktisur qëllimin e saj për ta shkatërruar Ukrainën", shkroi ai në X.
Ministria e Jashtme e Letonisë e përshkroi sulmin si"barbari të plotë" dhe "terror masiv të llogaritur kundër civilëve". "Duke pretenduar përdorimin e një rakete balistike me rreze të mesme veprimi ‘Oreshnik', Kremlini kryen krime lufte të qëllimshme kundër civilëve", tha ministria në X.
Qeveria e Portugalisë dënoi me forcë sulmet e fundit, përfshirë raketën hipersonike "Oreshnik" në Lviv dhe sulmet me dronë në Kiev, duke e riafirmuar "mbështetjen e saj të pakushtëzuar" për Ukrainën.

















