RAJONI
1 minuta leximi
Mbetet në fuqi masa "arrest në burg" për ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta
Në seancën e sotme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Metës, i cili kishte kërkuar revokimin e masës "arrest në burg”, duke e lënë në fuqi këtë masë.
Mbetet në fuqi masa "arrest në burg" për ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta
Mbetet në fuqi masa "arrest në burg" për ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta / AFP
19 Shtator 2025

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nuk e ka ndryshuar masën "arrest në burg" për ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Në seancën e sotme, GjKKO-ja ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Metës, i cili kishte kërkuar revokimin e masës "arrest në burg”, duke e lënë në fuqi këtë masë.

Sipas gjykatës, kundër vendimit të sotëm mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Edhe më parë, gjykatat në Shqipëri kanë rrëzuar kërkesat e ish-presidenti Meta për lirimin nga paraburgimi apo për masë tjetër sigurie.

Çështja ndaj ish-presidentit Meta

Ish-presidenti Meta është arrestuar më 21 tetor 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si "Kontrata e shërbimit CEZ-DIA" dhe për kontrata lobimi në ShBA" dhe aktualisht është në paraburgim.

Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta është i dyshuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.

Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.