Tirana Film Festival ka bërë një deklaratë zyrtare në profilin e saj në Instagram këtë të shtunë, ku njofton se ka marrë vendimin ta ndërpresë bashkëpunimin ose financimin nga ambasada izraelite.
Në deklaratë shkruhet: “Për ne, arti është gjithmonë më i rëndësishëm se politika. Ne qëndrojmë fort kundër të gjitha formave të gjenocidit, dhunës, shtypjes dhe padrejtësisë. Ne duam të krijojmë ura, jo barriera, dhe të nxisim dialogun dhe lidhjen përmes kinemasë. Për këtë arsye, sot kemi marrë masat e nevojshme duke hequr logon dhe duke shkëputur partneritetin me ambasadën izraelite.”
Deklarata shpjegon se meqënëse shteti izraelit i ndërpreu fondet Festivalit Ophir pas ndarjes së Çmimit për një film palestinez, tërheqja vjen edhe si simbolikë, si një deklaratë parimore, një gjest solidariteti dhe një kujtesë se TIFF-i mbështet lirinë, artin dhe artistët kudo që janë.
“Publikut, artistëve dhe mbështetësve tanë u kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim ose konfuzion që mund të ketë shkaktuar kjo. TIFF-i ju përket juve aq sa na përket neve dhe ne duam të vazhdojmë ta festojmë kinemanë me ju, hapur dhe lirisht.
Misioni ynë është më i fortë se kurrë: Ta mbështesim artin në të gjitha format e tij, të amplifikojmë zëra të ndryshëm dhe të ofrojmë një strehë për shprehjen e lirë të ideve. Jemi krenarë që qëndrojmë përkrah regjisorëve, artistëve dhe publikut që e njohin kinemanë jo vetëm si një medium artistik, por si një forcë për empati, dialog dhe ndryshim.” shkruan më tej TIFF-i në postimin e bërë në faqen zyrtare.