RAJONI
2 minuta leximi
Barduani: KFOR-i mbetet kyç për paqen dhe stabilitetin në Kosovë
Komandanti i KFOR-it Enrico Barduani, i priti në selinë e misionit ambasadorët dhe shefat e misoneve nga 33 vende që kontribuojnë me trupa në KFOR, që ishte njëkohësisht edhe i fundit në mandatin e Barduanit.
Barduani: KFOR-i mbetet kyç për paqen dhe stabilitetin në Kosovë
Barduani: KFOR-i mbetet kyç për paqen dhe stabilitetin në Kosovë / AFP
19 Shtator 2025

Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneral-major Enrico Barduani, i priti në selinë e misionit në kampin “Film City” në Prishtinë ambasadorët dhe shefat e misoneve nga 33 vende që kontribuojnë me trupa në kuadër të KFOR-it, u njoftua nga misioni.

Takimi, i cili njëkohësisht ishte edhe i fundit në mandatin e Barduanit, u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për shqyrtimin e situatës së sigurisë në Kosovë, paraqitjen e aktiviteteve aktuale dhe shqyrtimin e sfidave të ardhshme.

Gjenerali Barduani përsëri e theksoi rolin kyç të KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe stabil për të gjitha komunitetet në Kosovë, duke theksuar nevojën për vazhdimin e bashkëpunimit për ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe paqes.

Njëkohësisht shprehu mirënjohje ndaj aleatëve dhe partnerëve për, siç tha ai, “mbështetjen vendimtare në arritjen e objektivave të përbashkëta”.

Nga KFOR-i u rikujtua se misioni vazhdon ta zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar për një mjedis të sigurt dhe të siguruar dhe për lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, gjithmonë dhe në mënyrë të paanshme.

Misioni, siç u theksua, vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me kompetencat e tyre në fushën e sigurisë.