RAJONI
5 minuta leximi
Marta Kos në Sarajevë: BeH-ja në udhëkryq historik, shpreson integrim të shpejtë në BE
Kos është takuar me kryesuesen e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Krishto në Sarajevë, ndërsa shprehu shpresën për vazhdimin e rrugës së integrimit të vendit në Bashkimin Evropian(BE).
Marta Kos në Sarajevë: BeH-ja në udhëkryq historik, shpreson integrim të shpejtë në BE
Marta Kos në Sarajevë: BeH-ja në udhëkryq historik, shpreson integrim të shpejtë në BE / TRT Balkan
6 orë më parë

Komisarja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi sot se Bosnjë e Hercegovina historikisht ka qenë gjithmonë në udhëkryq të kulturave, feve dhe ideologjive të ndryshme dhe se kjo është pikërisht ajo që e bën këtë vend kaq të veçantë, të pasur dhe premtues.

Kos është takuar me kryesuesen e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Krishto në Sarajevë, ndërsa shprehu shpresën për vazhdimin e rrugës së integrimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE).

Duke kujtuar se më parë kishte qëndruar në Sarajevë si notare dhe zyrtare sllovene, Kos tha se sot është këtu me një rol tjetër si komisare e Bashkimit Evropian.

"Ky qytet dhe ky vend kanë rëndësi të veçantë për mua. Historikisht, ky vend ka qenë gjithmonë në udhëkryq të kulturave, feve dhe ideologjive të ndryshme, por pikërisht kjo e bën këtë vend kaq të veçantë dhe të pasur. Gjithmonë jam e lumtur të vij dhe shpresoj që BeH të bëhet anëtare e familjes së BE-së, dhe një hap historik përpara në atë rrugë u bë një vit e gjysmë më parë kur Këshilli Evropian vendosi të hapë procesin e negociatave. Ishte rezultat i punës së palodhur të institucioneve të BeH-së, veçanërisht Këshillit të Ministrave të BeH-së", tha Kos.

Respekt i domosdoshëm për Gjykatën e BeH-së dhe KQZ-në

Më tej Kos tha se janë ndërmarrë disa hapa më pozitivë dhe se në janar janë miratuar dy ligje përkatëse dhe marrëveshja për Frontex-in në qershor. Ajo tha se kanë qenë dëshmitarë të lëvizjeve të përsëritura jokushtetuese dhe separatiste nga autoritetet e entitetit të Bosnjë e Hercegovinës, Republikës Sërpska (RS).

"Përgjigjja e BE-së ishte në kohë dhe vendimtare. Institucionet vendase, siç janë Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duhet të respektohen dhe unë i bëj thirrje Këshillit të Ministrave të vazhdojë reformat. Ne diskutuam sot edhe për këtë. BeH-ja duhet të kthehet në rrugën e saj evropiane. Vendi nuk mund të përballojë të humbasë më kohë", tha ajo.

Ajo u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë pro-evropianë që të bashkëpunojnë dhe të përmbushin detyrimet e tyre në rrugën drejt BE-së. Komisarja për Zgjerimin shtoi se këto janë reforma që nevojiten urgjentisht si bazë për progres dhe zhbllokimin e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërqeveritar brenda procesit të pranimit në BE. Ajo theksoi veçanërisht rëndësinë e reformimit dhe forcimit të gjyqësorit të BeH-së.

"Vendi juaj ka humbur tashmë një vit e gjysmë. Le të punojmë së bashku dhe unë po ju jap dorën e ndihmës për të bërë gjithçka që mundemi në mënyrë që të mos humbni më kohë", shtoi Kos.

Ajo theksoi se Bosnjë e Hercegovina duhet të përfundojë dhe të rigjallërojë agjendën e saj të reformave. Komisionerja evropiane tha se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ta shmangur ngecjen e mëtejshme në procesin e hyrjes dhe afrimit me BE-në si dhe për të mos i humbur mundësitë e ofruara nga Plani i Zhvillimit të Ballkanit Perëndimor.

BE-ja si garanci e stabilitetit

"BeH-ja ka treguar në të kaluarën se mund të japë rezultate kur vepron e bashkuar. Sipas mendimit tim, përparimi në rrugën evropiane është garancia më e mirë e stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës. Përparimi drejt BE-së do të përmirësojë kushtet e jetesës dhe cilësinë e jetës, në mënyrë që të rinjtë të preferojnë të kërkojnë mundësi në atdheun e tyre, në vend që të largohen nga vendi", tha Kos.

Sipas saj, nëpërmjet Planit të Rritjes, BeH-ja mund t'u ofrojë qytetarëve të saj përfitimet konkrete që ofron anëtarësimi në BE.

"Nëpërmjet agjendës së reformave dhe Planit të Rritjes, qytetarët e BeH-së do të përfitojnë drejtpërdrejt. Prandaj, u bëj thirrje të gjithë politikanëve në BeH të bëjnë përpjekje dhe të miratojnë agjendën e reformave, e cila është thelbësore për zbatimin e Planit të Rritjes. Komisioni Evropian do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht perspektivën evropiane të BeH-së si një shtet i vetëm, i bashkuar dhe sovran. Unë personalisht do të angazhohem për të ndihmuar në këtë proces", theksoi ajo.

Komisarja për Zgjerimin njoftoi se gjatë vizitës së saj tre-ditore, do të bisedojë me përfaqësues të shoqërisë civile dhe biznesmenëve si dhe me përfaqësues të sektorëve të ndryshëm në BeH. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Kos theksoi se emërimi i kryenegociatorit të BeH-së me BE-në është çështje teknike për përparimin në negociata.

Ajo tha se një sondazh i zhvilluar tregoi se 67 për qind e qytetarëve të BeH-së do të votonin për anëtarësim në BE në një referendum, 72 për qind në Federatën e BeH-së dhe 50 për qind në Republikën Sërpska.

"Tani po kthehem te përgjegjësia e udhëheqësve. Padyshim që ekziston një vullnet i madh i qytetarëve të BeH-së për t'u bërë anëtar i Bashkimit Evropian dhe politikanët duhet t'i dëgjojnë qytetarët e tyre", tha ajo.

Krishto: Vazhdojmë të punojmë në rrugën evropiane

Kryesuesja e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Krishto, falënderoi Komisioneren Evropiane Kos për punën e saj të përkushtuar dhe komunikimin e vazhdueshëm si dhe për vizitën e saj të parë zyrtare në Sarajevë në këtë cilësi.

"Edhe sot diskutuam shumë tema në mënyrë konstruktive. Këtu, mbi të gjitha, ajo që i intereson publikut është se diskutuam një projekt të rëndësishëm dhe detyrimet e përgjegjësitë tona që kemi kur bëhet fjalë për zbatimin e Planit të Rritjes, pra brenda Planit të Rritjes mbi miratimin e agjendës së reformave", tha Krishto duke shtuar:

"Jam e bindur se në raundin e dytë të votimit, së shpejti do ta miratojmë agjendën e reformave dhe se institucionet e Bashkimit Evropian, përkatësisht Komisioni Evropian, do të informohen për të".

Ajo theksoi se agjenda e reformave është e rëndësishme për të gjithë në BeH dhe se zbatimi i saj është në interes të të gjithë BeH-së dhe të gjithë qytetarëve të saj.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë