Incidentet dhe zhvillimet e fundit lidhur me luftën izraelite në Gaza treguan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) mund të mos kenë aq ndikim mbi politikën e Izraelit sa besohet zakonisht, madje realiteti mund të jetë i kundërt, deklaroi të enjten ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan.
“Siç e dini, në politikën e brendshme amerikane prej kohësh ekziston një debat se kush kë kontrollon dhe kush kë udhëheq. Ngjarjet e fundit treguan se ShBA-ja nuk ka aq ndikim mbi politikën e Izraelit sa mendohet, ndoshta është madje e kundërta”, tha Fidan, duke komentuar bisedimet që po vazhdojnë me presidentin amerikan Donald Trump për paqen në Gaza dhe stabilitetin në Siri.
Duke theksuar se Izraeli ka qenë gjithmonë problem për rajonin që nga aneksimi i tokave palestineze, Fidan tha se të gjitha vendet e rajonit mbështesin një zgjidhje me dy shtete mbi bazën e kufijve të vitit 1967.
“Megjithatë, Izraeli kurrë nuk e ka dëshiruar vërtet një zgjidhje me dy shtete. Ai ka ndjekur në mënyrë të qëndrueshme një politikë aneksimi të tokave palestineze jashtë kufijve të vitit 1967, duke e përdorur sigurinë si justifikim”, tha Fidan në një intervistë për televizionin MBC MASR.
“Në këtë moment, ky është problemi më i madh për botën islame prej dekadash. Vitet e fundit, ekspansionizmi izraelit është bërë një kërcënim zyrtar për rajonin, përveç shtypjes së vazhdueshme në Palestinë”, shtoi ai.
Duke nënvizuar rëndësinë e samitit urgjent arabo-islam në Doha, Fidan tha se ky takim e vuri në pah ekspansionizmin izraelit.
“Ne do të vazhdojmë t’i kundërvihemi dhe të punojmë kundër gjenocidit të vazhdueshëm në Gaza dhe përpjekjeve izraelite për aneksimin e Bregut Perëndimor, si dhe do të angazhohemi për krijimin e shtetit palestinez. Kjo është e domosdoshme për paqen rajonale”, shtoi ai.
Ministri i Jashtëm turk u bëri thirrje vendeve të rajonit dhe komunitetit ndërkombëtar që të merren me politikën ekspansioniste të Izraelit, duke apeluar për marrjen e masave përkatëse në këtë drejtim.
“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Nuk është e mirë as për Izraelin, as për vendet e rajonit. Për fat të keq, Izraeli e mbështet sigurinë e tij te dobësitë politike dhe ekonomike dhe prapambetja teknologjike e vendeve përreth tij”, shtoi ai.
Si shembull, ai përmendi: “okupimin në Liban, praninë në Siri, sulmet ndaj Iranit, synimin e vazhdueshëm të zonave civile në Jemen, shkatërrimin sistematik të infrastrukturës dhe, së fundmi, sulmin ndaj Katarit.”
Fidan tha se sulmi i fundit izraelit mbi udhëheqësinë e Hamasit në Doha “ndryshoi shumë gjëra, ndërsa përpjekjet për ndërmjetësim janë ende në vijim.”
Duke theksuar dështimin e aktorëve ndërkombëtarë për të zgjidhur gjenocidin izraelit në Gaza, luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe konfliktet e tjera, Fidan tha se sistemi aktual ka prirje “të nxisë kriza në vend që të ofrojë zgjidhje.”
Ai shtoi se blloqet, aleancat dhe organizatat globale, veçanërisht BE-ja dhe OKB-ja, shpesh dështojnë në zgjidhjen e problemeve globale.
“Struktura e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht e Këshillit të Sigurimit, duket e papërshtatshme për të adresuar këto çështje. Reforma e Këshillit të Sigurimit dhe e OKB-së në tërësi është e domosdoshme”, tha Fidan, duke bërë thirrje për zbatimin e mekanizmave më gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës në vendimmarrje.
“Nëse këto reforma nuk ndodhin, siç e përmendët, është e pashmangshme që do të shfaqen aktorë rajonalë alternativë si BRICS, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, ASEAN dhe shumë të tjerë që nuk janë përmendur këtu të cilët do të kërkojnë qasje të ndryshme”, shtoi Fidan.