RAJONI
3 minuta leximi
Dëshmitari i tretë i mbrojtjes në Hagë, Duncan: Nuk mendoj se Thaçi ishte kryekomandant i UÇK-së
"Asnjëherë nuk e kam parë që të jepte direktiva apo urdhra", tha Duncan, duke folur për Thaçin.
Dëshmitari i tretë i mbrojtjes në Hagë, Duncan: Nuk mendoj se Thaçi ishte kryekomandant i UÇK-së
Dëshmitari i tretë i mbrojtjes në Hagë, Duncan: Nuk mendoj se Thaçi ishte kryekomandant i UÇK-së
7 orë më parë

Në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë, ka vazhduar dëshminë John Stewart Duncan, dëshmitari i tretë me radhë i mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Duncan i cili në fund të viteve të 90-ta ishte këshilltar politik i komandantit suprem të NATO-s, Wesley Clark, tha në fillim të dëshmisë se gjatë veprimtarisë së tij ka mbuluar edhe punën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kohën e luftës në Kosovë.

Dëshmitari Duncan duke folur për UÇK-në tha se ajo kishte përbërje heterogjene, me njerëz me përvoja dhe motive të ndryshme, ndërsa tha se shpesh atë e quanin edhe "ushtria e atyre që nuk kishin asgjë".

"Kur filloi të përshkallëzohej spastrimi etnik, përbërja e pjesëtarëve kryesorë ishte shumë e larmishme: kishte ish-ushtarë të Armatës jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë dhe njerëz të tjerë, disa me familje të keqtrajtuara. Arsyeja që morën armët, ndryshonte nga personi në person", rrëfeu Duncan.

Ai nënvizoi se UÇK-ja nuk kishte hierarki dhe se fuqinë reale të saj e kishin komandantët e zonave.

Sipas tij, udhëheqja politike e UÇK-së, përfshirë edhe Thaçin, shpesh nuk ishte në gjendje t'i bindte ushtarët për vendime të rëndësishme, siç ishte çarmatosja. Ai tha se roli i Thaçit nuk pasqyronte realitetin politik dhe se nuk kishte legjitimitet të plotë në shoqëri.

Duncan mohoi nëse mendon se Thaçi ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së, ose kryekomandant.

"Sepse mënyra se si silleshin (komandantët) me të gjatë negociatave, ishte e tillë që ata e trajtonin si krah politik, që kishte një lloj ndikimi, por jo si dikush që kishte kompetenca ushtarake. Asnjëherë nuk e kam parë që të jepte direktiva apo urdhra", tha Duncan, duke folur për Thaçin.

Sipas kryesuesit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë dy ose tri ditë.

Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi ka thirrur 11 dëshmitarë dhe pasi të përfundojnë provat dhe thirrja e dëshmitarëve të tyre, do të nisë prezantimi nga mbrojtja e ekipit të Jakup Krasniqit, të cilët do të paraqesin 4 dëshmitarë.

Dëshmi mbrojtëse nuk pritet të paraqesin ekipet mbrojtëse të Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Sipas aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, pretendohet se ata kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë