Zonja e parë e Türkiyes, Emine Erdoğan, e cila gjithashtu kryeson Bordin Këshillues të Nivelit të Lartë të OKB-së për Zero Mbetje, ka vënë në pah trashëgiminë kulturore shekullore të Anadollit dhe ka bërë thirrje për veprime më të fuqishme ndërkombëtare për mbrojtjen e Gazës.
“Jeta në Anadoll është një rrugë që tregon si mund të realizohen objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. Sepse dyert e Anadollit hapen drejt një pjellorie, trashëgimie dhe mjeshtërie të ndërtuar mbi mijëra vite përvoje”, tha Erdoğan, teksa priti bashkëshortet e krerëve të shteteve dhe qeverive në Nju Jork me rastin e Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së, në Shtëpinë Turke (Türkevi), si pjesë e projektit The Anatolians nën kujdesin e saj.
Ajo dhe zonjat e para të shteteve e qeverive të ndryshme vizituan një ekspozitë të organizuar nga Ministria turke e Industrisë dhe e Teknologjisë, e cila shfaqi dijet, mjeshtërinë dhe trashëgiminë kulturore mijëravjeçare të Anadollit të kombinuar me dizajn modern.
Ekspozita përfshinte rreth 40 lloje stofrash tradicionalë, qilima të punuar me dorë, stoli filigrani dhe kazaziye, mostra qeramike, arka arre dhe vegla bakri të punuara me dorë. Vizitorët kaluan përmes dyerve tematike të quajtura “Cikli,” “Vazhdimësia,” “Solidariteti” dhe “Mjeshtëria,” që simbolizonin kulturën e prodhimit të Anadollit.
“Globalizimi i hedh kulturat lokale në një kazan shkrirës”
Në fjalimin e saj, Erdoğan tha se ishte e lumtur të mirëpriste mysafirët në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe t’i prezantonte me trashëgiminë e pasur të Anadollit.
“Çdo kulturë, çdo gjuhë, çdo fe bashkohen për të formuar një simfoni madhështore njerëzore. Megjithatë, globalizimi i hedh kulturat lokale në një kazan shkrirës, duke e lënë botën gjithnjë e më uniforme, njëzësh dhe njëngjyrëshe.”
Ajo theksoi se, ndonëse ekzistojnë mbi 7.000 gjuhë, gjysma e tyre parashikohet të zhduken deri në fund të shekullit XXI. Vdekja e një gjuhe, tha ajo, nënkupton vdekjen e kulturës, emocioneve dhe botëkuptimit të një populli.
Erdoğan nënvizoi se vetëm 18 për qind e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030 të OKB-së janë realizuar.
“Si njerëzim, ne kërkojmë një rrugë që është e drejtë, rezistente ndaj mbetjeve, që vlerëson punën, përqafon natyrën dhe nxit paqen. Zgjidhja nuk është e largët - ajo gjendet në rrënjët e qytetërimit tonë. Urtësia e Anadollit është një udhërrëfyes për një jetë të qëndrueshme,” tha ajo.
Zonja e parë theksoi se vetë kuzhina turke mishëron një model pa mbetje dhe se praktika të tilla si prodhimi etik, riciklimi krijues, moda e qëndrueshme, materialet natyrore dhe mbështetja e punës së grave janë ruajtur në Anadoll për shekuj.
Ajo bëri thirrje që ky frymëzim të përhapet edhe në rajone të shkatërruara nga lufta, si Gaza dhe Ukraina: “Le ta shndërrojmë urtësinë e qytetërimeve tona në ura vëllazërie që lidhin kontinentet.”
“Nuk duhet ta lejojmë Izraelin ta fshijë Palestinën para vitit 1945”
Zonja e parë e Türkiyes theksoi rëndësinë e kundërshtimit të fshirjes historike, duke thënë: “Nuk duhet të lejojmë Izraelin të na fshijë nga kujtesa Palestinën para vitit 1945. Përkundrazi, ne duhet ta ruajmë dhe ta mësojmë këtë histori dhe kulturë të lashtë. Përballë bombave, duhet të rezistojmë me stilolapsa, libra dhe kujtesë.”
Ajo paralajmëroi për katastrofën humanitare në Gaza dhe tha: “E dini, fëmijët në Gaza flenë aq të uritur sa nuk zgjohen më kurrë? Pothuajse 19.000 fëmijë janë vrarë vetëm në dy vjet. Gaza është bërë një varrezë fëmijësh dhe një vendvarrim për ndërgjegjen e njerëzimit.”
Ajo përsëriti thirrjen që njerëzimi të bëhet zëri i Gazës, të hapen korridore humanitare dhe të forcohet e drejta ndërkombëtare. Ajo mirëpriti vendimin e shumë shteteve për ta njohur Palestinën si shtet, duke e cilësuar si “një pikë historike kthese për paqen dhe drejtësinë.”
Traditat e Anadollit “mishërojnë qëndrueshmërinë dhe urtësinë kulturore”
Erdoğan tha se ishte “vërtet e lumtur” të priste bashkëshortet e liderëve botërorë në një aktivitet në Nju Jork, ku u prezantua trashëgimia kulturore e Anadollit, traditat e qëndrueshme dhe mjeshtëria e tij.
Në një mesazh të shpërndarë pas programit, zonja e parë e Türkiyes e përshkroi ekspozitën si një festim të të korrave të kultivuara në tokat pjellore të Anadollit, të urtësisë kulinare të trashëguar brez pas brezi dhe të artizanatit të mjeshtërve.
Ajo tha se nisma kishte për qëllim ta sillte vizionin estetik të Anadollit, frymën e prodhimit të qëndrueshëm dhe respektin për natyrën në skenën globale. Erdoğan shtoi se shpreson që ky takim të shërbejë si “një urë mes kulturave, duke forcuar vëllazërinë dhe të ardhmen e përbashkët të njerëzimit.”