TÜRKİYE
3 minuta leximi
Shefi i Komunikimeve të Türkiyes: Sulmet e Izraelit në Gaza, “një fazë e përgjakshme e gjenocidit”
Shefi i Komunikimeve të Türkiyes ka deklaruar se ofensiva e fundit e Izraelit shkel të drejtën ndërkombëtare, ka akuzuar kryeministrin Benjamin Netanyahu për krime lufte dhe ka refuzuar pretendimin e tij mbi Jeruzalemin.
Shefi i Komunikimeve të Türkiyes: Sulmet e Izraelit në Gaza, “një fazë e përgjakshme e gjenocidit”
Shefi i Komunikimeve të Türkiyes: Sulmet e Izraelit në Gaza, “një fazë e përgjakshme e gjenocidit” / AA
një ditë më parë

Sulmet më të fundit ajrore dhe tokësore të Izraelit në qytetin Gaza kanë nxitur dënimin e Türkiyes, me Drejtorin e Komunikimeve, Burhanettin Duran, që i përshkroi ato si “një fazë e përgjakshme e gjenocidit” të kryer nën drejtimin e Netanyahut.

Në një postim në X, Duran tha se sulmet e Izraelit shpërfillin parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe shtojnë “një dimension të ri të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të Izraelit.”

Komentet e tij erdhën në kohën kur ushtria izraelite, të hënën, intensifikoi ofensivën ndaj qytetit më të madh të Gazës, duke kombinuar bombardimet ajrore me një sulm tokësor, ku pothuajse një milion palestinezë të uritur janë të bllokuar.

Duran e lidhi sulmin e Izraelit me atë që e quajti dështim moral të bashkësisë ndërkombëtare.

“Me mijëra palestinezë të vrarë dhe qindra mijëra të zhvendosur, tragjedia humanitare ka arritur në një pikë të padurueshme”, tha ai.

“Nuk ka më asnjë justifikim për botën. Këshilli i Sigurimit dhe të gjitha mekanizmat përgjegjës duhet të veprojnë menjëherë për të siguruar armëpushimin dhe për ta mbajtur Izraelin përgjegjës para së drejtës ndërkombëtare”, shtoi Duran, duke theksuar se Ankaraja do të mbështesë çdo iniciativë që synon llogaridhënien.

Duran iu përgjigj edhe deklaratave të fundit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili iu drejtua drejtpërdrejt presidentit Erdoğan më 15 shtator gjatë një aktiviteti publik në Jerusalemin Lindor të pushtuar, së bashku me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ambasadorin Mike Huckabee.

Duke iu referuar me emër Erdoğanit, Netanyahu tha: “Ky është qyteti ynë. Erdoğan, nuk është i yti. Jeruzalemit është i yni përgjithmonë dhe nuk do të ndahet kurrë më”, duke theksuar se nuk do të ketë kurrë shtet palestinez.

“Shenjtëria dhe shpirtëria e Jeruzalemit nuk mund të mbulohen nga politikat e pushtimit”, tha Duran, duke shtuar se Türkiye do të vazhdojë të mbështesë themelimin e një shteti të pavarur palestinez përgjatë kufijve të vitit 1967 me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet.

Ai tha se një lider “i gjykuar për krime lufte dhe i dënuar në ndërgjegjen e njerëzimit” nuk ka asnjë autoritet të flasë për Kudsin, duke iu referuar qytetit me emrin arab.

“Gjatë historisë, Kudsi nuk iu nënshtrua kurrë pushtuesve kryqtarë apo fuqive imperialiste”, shtoi ai.

Sipas së drejtës ndërkombëtare, të gjitha vendbanimet izraelite në territoret palestineze të pushtuara, përfshirë Bregun Perëndimor, konsiderohen të paligjshme.

Që nga tetori 2023, ushtria izraelite ka vrarë gati 65 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, në Gaza.

Bombardimet e pandërprera e kanë bërë enklavën të pabanueshme, duke shkaktuar urinë dhe përhapjen e sëmundjeve.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë