Përfaqësuesi i Përhershëm i Türkiyes në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, Burak Akçapar deklaroi se "Türkiye përsërit thirrjen e saj për llogaridhënie dhe që komuniteti ndërkombëtar të marrë masa urgjente dhe konkrete për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë së Izraelit".
Ambasadori Akçapar foli në takimin e situatës emergjente lidhur me shënjestrimin e Katarit nga Izraeli më 9 shtator, si pjesë e sesionit të 60-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut (KDNj) të OKB-së që po zhvillohet aktualisht në Gjenevë.
"Türkiye i bashkohet deklaratës së përbashkët të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe qëndrimit global që dënon sulmin e Izraelit në Katar", tha Akçapar i cili falënderoi ministren e Shtetit të Katarit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Maryam bint Ali bin Nasser Al Misnad, e cila më parë dënoi sulmin e Izraelit në Doha, komisionerin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk dhe raportuesen e OKB-së, Jovana Jezdimiroviq Ranito, e cila foli në emër të Komitetit të Koordinimit të Procedurave Speciale, për përcjelljen e fakteve.
Akçapar tha se Türkiye riafirmon solidaritetin e saj të fortë me Katarin. "Ky sulm i urryer që synon sovranitetin dhe sigurinë e Katarit nuk është vetëm shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare, por edhe dëshmi e qartë e politikave ekspansioniste të Izraelit dhe miratimit të terrorizmit si politikë shtetërore", shtoi ai.
Përfaqësuesi turk në Zyrën e OKB-së në Gjenevë tha se agresioni i vazhdueshëm dhe qëllimi gjenocidal i Izraelit tashmë po e përkeqësojnë krizën humanitare në Gaza. "Politikat e dhunës së Izraelit nuk kufizohen më vetëm në Palestinë. Ato po destabilizojnë një rajon më të gjerë, përfshirë Libanin, Sirinë, Iranin, Jemenin, Tunizinë dhe së fundmi, shtetin ndërmjetës, Katarin. Bombardimi i ndërmjetësve në vend që t'i mbështesë ata është i papranueshëm", shtoi ai.
Akçapar potencoi se dhuna e vazhdueshme e pandëshkuar e Izraelit përbën kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
"A mund të lejojmë që një mungesë respekti e tillë kundër të drejtës ndërkombëtare të bëhet normaliteti i ri që përcakton kohët tona? Türkiye përsërit thirrjen e saj për llogaridhënie dhe që komuniteti ndërkombëtar të marrë masa urgjente dhe konkrete për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë së Izraelit dhe për të parandaluar agresionin dhe përshkallëzimin e mëtejshëm", tha ambasadori Akçapar.