Gjermania do të emërojë ekspertin Sinan Selen në krye të agjencisë së saj të Inteligjencës vendase “BfV”, duke shënuar herën e parë që një person me prejardhje të huaj të drejtojë një nga organizatat më të larta të sigurisë në vend.
Ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt pritet të njoftojë emërimin të hënën, sipas transmetuesit publik ARD, ndërsa Kabineti Federal ka të ngjarë ta zyrtarizojë vendimin të mërkurën.
Selen 53 vjeç lindi në Istanbul dhe u transferua në Gjermani me familjen e tij kur ishte 4 vjeç.
Eksperti i antiterrorizmit ka shërbyer si nënkryetar i BfV-së që nga janari 2019 dhe është i njohur për ekspertizën e tij në terrorizmin ndërkombëtar dhe ekstremizmin fetar.
Pas përfundimit të studimeve në drejtësi në Universitetin e Këlnit, Selen filloi karrierën në çështjet e sigurisë në vitin 2000 në Zyrën Federale të Policisë Kriminale (BKA).
Nga viti 2006 deri në vitin 2009, ai drejtoi departamentin "Terrorizmi i Jashtëm dhe Ekstremizmi i Jashtëm" në Ministrinë Federale të Brendshme përpara se t'i bashkohej BfV-së.
Paraardhësi i Selenit, Thomas Haldenwang dha dorëheqje në nëntor 2024 për të synuar një vend parlamentar me Kristian-Demokratët (CDU) të kancelarit Friedrich Merz.
Megjithatë, ambiciet e tij politike morën fund kur ai nuk arriti të fitonte një vend në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në shkurt.