| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Erdoğan: Procesi “Türkiye pa terrorizëm” ofron një mundësi historike
Presidenti turk bën thirrje që provokimet dhe mosmarrëveshjet politike të mos i pengojnë përpjekjet për zgjidhjen e problemit prej dekadash të vendit.
Erdoğan: Procesi “Türkiye pa terrorizëm” ofron një mundësi historike
Erdoğan: Procesi “Türkiye pa terrorizëm” ofron një mundësi historike / َAA
 

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi të mërkurën se procesi “Türkiye pa terrorizëm” paraqet një mundësi historike për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare problemit 40-vjeçar të vendit.

“Përpara Türkiyes është hapur një dritare historike mundësie për ta zgjidhur përfundimisht problemin e saj 40-vjeçar”, tha Erdoğan gjatë një aktiviteti në kryeqytetin Ankara.

Nisma “Türkiye pa terrorizëm”, e nisur në fund të vitit 2024, synon t’i japë fund konfliktit të armatosur katërdekadësh të PKK-së kundër Türkiyes, përmes shpërbërjes dhe çarmatimit të organizatës terroriste. PKK-ja kishte njoftuar më herët vendimin për të dorëzuar armët dhe për të braktisur vendstrehimet e saj në veri të Irakut.

Erdoğan tha se institucionet e sigurisë dhe të inteligjencës po i kryejnë detyrat me përkushtim dhe se procesi po zhvillohet në përputhje me ligjin.

“Nuk duam të lëmë as hapësirën më të vogël për keqpërdorim apo provokim”, shtoi ai.

Ai tha se qeveria po e ndjek procesin me kujdesin e një nëne që kujdeset për fëmijën e saj, duke theksuar se synimi është forcimi i paqes, sigurisë dhe zhvillimit.

Erdoğan u shpreh se dëshironte t’i jepej fund vuajtjes së shkaktuar nga terrorizmi, veçanërisht për familjet që kanë humbur të afërmit.

“Duam që… nënat, baballarët dhe fëmijët të mos derdhin më lot. Nuk duam që të rinjtë plot shpresë dhe në lulen e jetës të këputen si fidanë, pa pasur mundësinë të rriten”, tha ai.

Ai theksoi se Türkiye synon të ndërtojë një të ardhme pa terrorizëm dhe pa pasojat e tij më të gjera.

“Duam ta kurorëzojmë Shekullin e Türkiyes fillimisht me një Türkiye pa terrorizëm dhe më pas me një rajon pa terrorizëm”, deklaroi Erdoğan.

Ai paralajmëroi gjithashtu që mosmarrëveshjet e brendshme politike të mos lejohen ta pengojnë nismën.

“Askush nuk ka të drejtë t’i kthejë luftërat për pushtet brenda partive në barrë për këtë proces, ta ngarkojë atë me peshën e tyre apo t’i vendosë mbi objektivat e tij”, tha ai.

Aleanca Popullore në pushtet nuk do të lejojë që kjo mundësi të shpërdorohet apo të sakrifikohet për interesa personale, shtoi ai.

Rrëzimet e helikopterëve ushtarakë

Ndërkaq, Erdoğan tha se kanë nisur hetimet për rrëzimet e helikopterëve ushtarakë në Malatya dhe Eskişehir, të ndodhura vetëm 12 ditë larg njëri-tjetrit.

“Kanë nisur hetimet për këto dy aksidente tragjike, që ndodhën vetëm 12 ditë larg njëri-tjetrit. Inspektimet dhe hetimet do të kryhen në mënyrë që të mos mbetet as dyshimi më i vogël”, tha ai.

Deklaratat erdhën pasi dy rrëzime helikopterësh ushtarakë në Türkiye u morën jetën nëntë pjesëtarëve të personelit brenda 12 ditësh.

Pesë pjesëtarë të Forcave Ajrore humbën jetën të martën, kur një helikopter AS-532 u rrëzua gjatë një fluturimi stërvitor, pasi ishte ngritur nga Eskişehiri.

Më herët, katër ushtarakë humbën jetën nga rrëzimi i një helikopteri S-70 në provincën lindore të Malatyas.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë