| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
KQZ-ja e Kosovës merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve në Antalya
Delegacioni i KQZ-së u takua edhe me kreun e Këshillit të Lartë Zgjedhor të Republikës së Türkiyes, Serdar Mutta.
KQZ-ja e Kosovës merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve në Antalya
KQZ-ja e Kosovës merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve në Antalya. Foto: KQZ / FB
 

Një delegacion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të Kosovës në përbërje të kryesuesit, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarëve, Violeta Salihu dhe Yildiray Bayrami, po merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve, i organizuar nga Këshilli i Lartë Zgjedhor i Republikës së Türkiyes, në Antalya.

KQZ-ja ka bërë të ditur se delegacioni i saj ka zhvilluar takime me përfaqësues të trupave institucionale zgjedhore nga shtete të ndryshme, me të cilët u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shkëmbimin e përvojave më të mira zgjedhore.

Në këtë drejtim, në një sesion të veçantë, delegacioni i KQZ-së u takua edhe me kreun e Këshillit të Lartë Zgjedhor të Republikës së Türkiyes, Serdar Mutta.

Qëllimi i këtij forumi, ku po marrin pjesë rreth 60 përfaqësues të institucioneve të menaxhimit të zgjedhjeve dhe organizatave të ndryshme nga 25 shtete, është forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e administrimit të zgjedhjeve si dhe rritja e shkëmbimit të njohurive dhe përvojave ndërmjet shteteve.

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të kësaj ngjarje ndërkombëtare, temat kryesore në të cilat u përqendruan diskutimet, kanë të bëjnë me rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje përmes praktikave institucionale, bashkëpunimin e institucioneve zgjedhore me mediat e publikun dhe përdorimin e teknologjisë në zgjedhje.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë