Tifozët që planifikojnë të ndjekin FIFA World Cup 2026 në ShBA, Kanada dhe Meksikë mund të përballen me shpenzime të larta për parkingun në stadiume.
Sipas raportimeve të fundit, çmimet për vendet e parkingut gjatë fazës së grupeve mund të arrijnë deri në 75 dollarë, ndërsa për ndeshjet e fazave të mëvonshme, si gjysmëfinalet, tarifat mund të variojnë nga 145 deri në 175 dollarë raporton “Sports Illustrated”.
Ekspertët theksojnë se këto çmime mund të tejkalojnë vlerën e biletave për vetë ndeshjet, duke e bërë parkingun një nga kostot më të konsiderueshme për tifozët. Organizatorët kanë paralajmëruar se do të ofrohen opsione të tjera transporti, përfshirë transportin publik dhe shuttle, por shumë fansa pritet të përballen me shpenzime të konsiderueshme për të arritur në stadium.
Analistët e ngjarjeve sportive sugjerojnë që tifozët të planifikojnë paraprakisht dhe të marrin parasysh kostot e parkingut si pjesë të buxhetit të tyre të përgjithshëm për udhëtimin në Botërorin 2026.






















