Punonjës të shëndetësisë u mblodhën të mërkurën në më shumë se 50 spitale anembanë Italisë për të shprehur mbështetjen e tyre për kolegët palestinezë.
Ata denoncuan gjenocidin izraelit në Gaza dhe shprehën solidaritet me punonjësit palestinezë të shëndetësisë që janë vënë në shënjestër gjatë sulmeve izraelite.
Massimo Messana, infermier në Spitalin Niguarda të Milanos, tha se qëllimi është që opinioni publik italian të mbajë vëmendjen te situata në Palestinë dhe vuajtjet që po përjeton populli i Gazës.
Ai tha se sistemi shëndetësor atje është “komplet i rrënuar” dhe se punonjësit e shëndetësisë po mbahen në kushte jashtëzakonisht të vështira, pa asnjë të drejtë, në burgjet izraelite.
Duke iu referuar raporteve sipas të cilave më shumë se 1.500 punonjës të shëndetësisë janë vrarë nga forcat izraelite dhe mbi 100 të tjerë vazhdojnë të jenë në ndalim, Messana e përshkroi situatën si një “krim të dyfishtë”, si ndaj vetë punonjësve, ashtu edhe ndaj njerëzve jetët e të cilëve ata mund t’i kishin shpëtuar.
Të paktën 70.366 palestinezë janë vrarë dhe 171.064 janë plagosur në luftën gjenocidale të Izraelit që nga tetori 2023, njoftoi të martën Ministria e Shëndetësisë në Gaza.
















